FOTO/ Teleskopi hapësinor evropian Euklid publikoi imazhet e para të universit

schedule17:00 - 7 Nëntor, 2023

schedule 17:00 - 7 Nëntor, 2023

Teleskopi Hapësinor Eiropian Euklid ka publikuar imazhet e tij të para, duke zbuluar një mjegullnajë verbuese që i ngjan kokës së një kali, si dhe galaktika të largëta që nuk janë parë kurrë më parë.

Në korrik, Euklidi u nis në misionin e tij të parë për të studiuar misteret kozmike të materies së errët dhe energjisë së errët.

Teleskopi, i vendosur rreth 1.5 milion kilometra nga Toka, ka për detyrë të hartojë një të tretën e universit, i cili përfshin rreth dy miliardë galaktika.

Euklidi filloi sot dërgimin e vëzhgimeve të para nga hapësira, sipas një deklarate nga Qendra Evropiane e Operacioneve në Darmstadt, Gjermani.

“Imazhe mahnitëse dhe frymëzuese që na kujtojnë pse është e nevojshme të shkojmë në hapësirë ​​për të mësuar më shumë rreth mistereve të universit”, tha kreu i Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA), Josef Aschbacher.

Mes fotove është një imazh i Mjegullnajës së Kokës së Kalit, brenda yjësisë së afërt të Orionit, si dhe imazhe të galaktikave spirale.

Specialiteti i Euklidit është se ai ka një fushë të gjerë shikimi “të paparë kurrë në historinë e astronomisë”, thanë shkencëtarët.

Falë kësaj pamjeje të gjerë, teleskopi, i pajisur me dy pajisje (optike dhe afër infra të kuqe), është në gjendje të kapë imazhe kaq të mëdha me rezolucion të lartë.

ESA e përshkruan Euklidin si “detektivin e saj të anës së errët”, i ngarkuar për të hetuar pse 95 për qind e kozmosit duket se përbëhet nga materia e errët dhe energjia e errët, për të cilat pothuajse asgjë nuk dihet.

Ndërkohë, ftot e radhës do të publikohen në janar. Misioni europian do të zgjasë të paktën deri në vitin 2029./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!