Pas vendimit të drejtorit të Policisë së Shtetit Ardi Veliu për të shkarkuar shefin e Komisariatit Nr.1 në Tiranë, si pasojë e dyndjes së madhe të qytetarëve te Liqeni Artificial, kjo zonë ditën e sotme i është rikthyer sërish shtetrrethimit.
Abc News mëson se në të gjitha pikat hyrëse të Liqenit Artificial janë vendosur punonjës policie të cilët bëjnë kontrollin e qytetarëve për pajisje me autorizimin përkatës, dhe në rast të kundërt ata ndëshkohen me masë administrative, gjobë.
Dyndja e madhe e qytetarëve në rrugët e kryeqytetit ka qenë mjaft e theksuar gjatë ditëve të fundit, veçanërisht pas tendencës në ulje të shifrave në tre ditët e para të javës, të cilët pësuan një kapërcim të dukshëm të enjten dhe të premten.
Kreu i qeverisë Edi Rama deklaroi dje se gjatë këtyre ditëve në Tiranë është parë shkelje e fashës orare sidomos në zonën e liqenit Artificial.
Ai paralajmëroi se nëse numrat e të infektuarve në Tiranë rriten, kryeqyteti jo vetëm që nuk do të kthehet në zonë të gjelbër, por rrezikon të kthehet nga zonë e kuqe, në zonë të mbyllur fare.
Por megjithë masat e marra nga qeveria përgjatë pandemisë, Liqeni Artificial pritet të hapet sërish nesër, pasi siç ka ndodhur në fundjavat e kaluara, ky park ka qëndruar i hapur përgjatë orarit të lirisë së nënave me fëmijë dhe të moshuarve. /abcnews.al