Me stuhitë gjigande, erërat e fuqishme, aurorat e temperaturat ekstreme, Jupiteri mbetet një planet mahnitës, dhe teleskopi më i madh dhe më i ri hapësinor në botë, James Webb, e ka shfaqur atë si asnjëherë më parë.
Fotot e realizuara nga ky teleskop kanë kapur pamje të rralla të dritave veriore dhe jugore të planetit gjigand. Në to, njolla e Kuqe e Madhe e Jupiterit dallohet me shkëlqim krahas stuhive të panumërta më të vogla. Një fotografi me rezolucion të lartë dhe shtrirje të ndjeshme është veçanërisht befasuese, pasi tregon unazat e zbehta rreth planetit, si dhe dy hëna të vogla kundër një sfondi vezullues galaktikash.
“Nuk e kemi parë kurrë Jupiterin në këtë mënyrë. Është e gjitha e pabesueshme,” tha astronomi planetar Imke de Pater, nga Universiteti i Kalifornisë, Berkeley.
Imazhet infra të kuqe u ngjyrosën artificialisht në blu, të bardhë, jeshile, të verdhë dhe portokalli, sipas ekipit hulumtues amerikano-francez, për t’i bërë detajet e tyre të dalloheshin më mirë.
Imazhet e dërguara në tërësi nga teleskopi hapësinor James Webb po përshkruhen nga shkencëtarët si “një epokë e re në eksplorimin e hapësirës”. Ato paraqesin mrekullinë e universit, që nga yjet e sapolindur dhe deri tek galaksitë më të largëta.
Që në fotografinë e parë të realizuar nga teleskopi që ka kushtuar 10 miliardë dollarë, dalloheshin një mori galaktikash, të gjendura në një thellësi të kozmosit ku njerëzimi nuk kishte arritur të hidhte vështrimin ndonjëherë më parë.