Abc News ka siguruar foton e Sebastian Malit, nipi i Prel Markut i arrestuar ditën e sotme si bashkëpunëtor në ekzekutimin e Hekuran Billës, ngjarje e ndodhur pak ditë më parë në zonën e Komunës së Parisit.
Ai u arrestua në një lokal në zonën e ish-Parkut të Autobuzëve, ndërkohë që nuk ka pranuar të ketë lidhje me ngjarjen përpara grupit hetimor.
Billa u vra teksa po lëvizte me makinë, ku disa persona që i bënë pritë me dy automjete e qëlluan me 11 plumba duke e lënë të vdekur në vend.
Pista kryesore e hetimit është pikërisht hasmëria, për shkak se në vitin 2006 Billa kishte vrarë në Londër Prel Markun, asokohe 22-vjeç, ndërsa në kërkim si autor i dyshuar për këtë ngjarje është pikërisht vëllai i këtij të fundit Viktor Marku.
LEXO EDHE: EMRI/ Kush është autori i ekzekutimit të Hekuran Billës, momenti i arrestimit nga policia
Për këtë ngjarje Billa u dënua me burgim të përjetshëm, dënim nga i cili u lirua nga Gjykata e Apelit, e cila e la në burg për 25 vite.
Por kur do duhet të ishte ende në burg për të vuajtur edhe 5 vitet e mbetura të dënimit, gjyqtarja Enkelejda Hoxha e liroi për sjellje të mirë dhe me argumentin se është në pamundësi ekonomike për të siguruar ilaçet për prindërit e sëmurë.
Billa ishte pronar i disa bizneseve në fushën e tregtisë së automjeteve, në fushën e shërbimit ndaj mjeteve të transportit duke përfshirë gjithë sektorin e mekanikës dhe kishte në pronësi edhe një dyqan këpucësh./abcnews.al