Tirana dhe Partizani nuk ia dolën të siguronin fitore përpara ndeshjes së shumëpritur midis tyre. Bardheblutë pësuan humbjen e parë kundër Kukësit, ndërsa të kuqtë u befasuan në një barazim me Bylis.
Pavarësisht kësaj, atmosfera për derbin pritet të ngrihet nga dita në ditë dhe sinjalet e para janë dhënë. Jasir Asani ka publikuar një foto në instagram, aty ku shfaqet bashkë me Lorenc Trashin.
Motivimi për të triumfuar në ndeshjen më emocionuese të kampionatit është i madh. “Gati për serinë e radhës. Lorenc Trashi i njëjti film e njëjta histori?”, thumbon sulmuesi anësor i “demave”, duke përdorur një nga shprehjet e tifozërisë së kuqe në këto vite.
Tirana vjen si pritëse në derbin e fundjavës dhe nuk triumfon përballë “armiqve” të përjetshëm prej 6 vitesh. Partizani dëshiron ta zgjasë një rekord të tillë, ndërsa tifozët po presin me emocion përballjen më të zjarrtë të futbollit shqiptar. /abcnews.al