Nga Riza Tufa
Jemi në javët e para të sezonit të ri 2021/22 , e padyshim është herët për t’i vendosur “vulën” se cilat skuadra do të shkëlqejnë e rrjedhimisht edhe do të triumfojnë në kampionatet respektive dhe në Evropë.
Merkatoja që lam pas ishte mjaft e “nxehtë” ndoshta më e “nxehta”, pasi dy nga lojtarët më të mirë të historisë së futbollit ndryshuan skuadër.
Duke u bazuar te forma aktuale dhe organika po rendisim 5 skuadrat të cilat pritet të jenë më të mirat e këtij sezoni:
PSG: “Parisienët” kanë bërë një nga merkatot më mira në historinë e futbollit. Lionel Messi, Sergio Ramos, Gigi Donnarumma, Achraf Hakimi dhe Georginio Wijnaldum e kanë kthyer PSG-në të paktën në letër deri më tani ekipin më të mirë të këtij sezoni.
Klubi parisien prej vitesh ka investuar shifra të “frikshme” në merkato, por tanimë ka ardhur momenti që ato të ndjehen më të kompletuar se kurrë. Synimi i madh është fitimi i Champions League. Mbetet për t’u parë nëse ky është sezoni i duhur.
Man City: “Citizens” janë prej vitesh në elitën e futbollit Evropian. Klubi ka investuar sezone me radhë në merkato, por sukseset nuk i kanë kaluar “kufinjtë” e Premier League.
Viti që lam pas ishte më i sukseshmi për ekipin e drejtuar nga Guardiola, pasi fitoi Premier League dhe preku finale e Champions League për herë të parë në histori.
Me mbrojtjen që duket se më në fund është konsoliduar, City është një ekip pa asnjë pikë të dobët.
Gjatë merkatos që lam pas u afrua një nga lojtarët më të mirë anglez momentalisht, Jack Grealish, ndërsa u largua Kun Aguero, sulmuesi më i mirë në historinë e klubit. A e ka dëmtuar ky largim klubin? Natyrisht që jo, mjafton të kujtojmë prezencat dhe golat e tij me skuadrën në sezonin e fundit. Në fakt e kemi të vështirë pasi numërohen më “gishtat e dorës”.
Ky sezon mund të jetë sezoni i Manchester City-t, me trajnerin dhe boshtin e skuadrës që prej vitesh luajnë bashkë, çdo synim është i arritshëm.
Atl Madrid: “Los Colchoneros” janë kampionët në fuqi të La Liga-s. Skuadra e drejtuar nga Cholo Simeone si asnjëherë më parë këtë sezon ka marrë “madhështinë” e dy skuadrave të mëdha si Reali e Barcelona.
Duke ndërhyrë “pak edhe sak” në merkaton që lam pas, Simeone ka realizuar dëshirën e tij të madhe për të pasur dy “gjahtarë” goli në skuadër që sigurojnë mbi 20 rrjeta në sezon. Suarez-Grieazmann pas një sezoni të suksesshëm që patën të dy në Barcelonë, janë ribashkuar tani te Atletico.
Por kush do t’i furnizojë këta sulmues? Koke, Llorente e Rodrigo de Paul janë disa që do të duhet të bëjnë asistmenin, me këtë fundit që u tranferua nga Udinese ku e mbylli sezonin në Serie A si lojtari që krijoi më së shumti raste për gol.
Man United: “Djajtë e Kuq” njohin rritje në sezonet e fundit në Premier League, jo aq shumë në kupat e Evropës.
Grupi i lojtarëve nuk i ka munguar skuadrës së drejtuar nga Solskjaer, por ndërthurja mes atyre me eksperiencë dhe të rinjve nuk ka qenë si duhet, duke bërë që të dështojë në ndeshje decizive.
Një gjë të tillë, e bëri merkaton që lam pas. Transferoi në skuadër dy lojtarë që kanë fituar gjithçka si Ronaldo e Varane dhe një talent premtues si Sancho.
Kur thua “RONALDO”, ke thënë “SUKSES”. Edhe pse ekperianca e portugezit te Juventusit nuk mund të quhet plotësisht e tillë, por ndoshta jo për faj të tij.
Milan: “Kuqezinjtë” me Piolin në stol po marrin “fytyrën” e dikurshme. Vendi i dytë në kampionat dhe pjesëmarrje në Champions League pas 8 sezonesh, ishte kjo panorama e Milanit sezonin e kaluar, për të rritur maksimalisht synimet këtë sezon.
Zëvendësimi i Donnarummas me Maignan duket se e kanë lënë Milanin në vend sa i përket portës. Francezi duket sikur ka një jetë që luan me ekipin e Milanos në këto ndeshje të para.
Plotësime janë bërë po ashtu nga mbrojtja në sulm. Florenzi, Bakayoko dhe Giroud janë lojtarët më të rëndësishëm të ofruar për të plotësuar skuadrën.
Fitimi i Serie A dhe një performancë e mirë në Ligën e Kampionëve janë objektivat që Milani synon të përmbushë këtë sezon.