FOTO/ Banorët kthehen në Jenin pas tërheqjes së trupave izraelitë

schedule11:27 - 6 Shtator, 2024

schedule 11:27 - 6 Shtator, 2024

Forcat izraelite u tërhoqën mëngjesin e sotëm nga Jenin në Bregun Perëndimor të pushtuar pas 10 ditësh “operacione anti-terroriste” në qytet dhe kampet e refugjatëve përreth tij.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Autoritetit Palestinez, gjithsej 36 palestinezë të moshës 13 deri në 82 vjeç janë vrarë nga ushtria izraelite në pjesën veriore të Bregut Perëndimor që nga fillimi i operacionit izraelit më 28 gusht, ndërsa dhjetëra janë plagosur dhe arrestuar

“Për një javë e gjysmë (ushtria, Shin Bet – agjencia e sigurisë së brendshme dhe rojet kufitare) kanë kryer operacione kundër terrorizmit në zonën e Jenin,” tha ushtria izraelite në një deklaratë.

“Deri më tani janë neutralizuar 14 terroristë, ndërsa më shumë se 30 të dyshuar janë arrestuar” në Jenin, shtoi ushtria, duke sqaruar se kanë nisur katër sulme ajrore në zonë.

Tani banorët e qytetit po përpiqen t’i kthehen jetës së tyre të përditshme. Një dëshmitar okular tha për Reuters se forcat izraelite kishin lënë pas dëme të mëdha në infrastrukturën e qytetit.

Disa banorë qëndruan në heshtje përpara shtëpive të tyre të dëmtuara, ndërsa ekskavatorët u përpoqën të hiqnin rrënojat dhe fëmijët kishin dalë në rrugë për të luajtur.

Aziz Taleb, 48 vjeç, baba i shtatë fëmijëve, inspekton dëmet brenda shtëpisë së tij. “Falë Zotit fëmijët ishin larguar një ditë më parë, ditën kur filluan operacionet e ushtrisë izraelit për të qëndruar me fqinjët”, tha ai.

Në një postim në Facebook, duke cituar situatën në qytetet Jenin dhe Tulkarem, si dhe kampet e refugjatëve të vendosura atje,  Ministria e Jashtme palestineze akuzoi Izraelin për shkatërrimin në Bregun Perëndimor, duke e krahasuar me Rripin e Gazës.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!