Fortifikimi i lashtë i Komlikut, në Ungrej te Lezhës, ka tërhequr vazhdimisht interesin e studiuesve të trashëgimisë kulturore për rëndësinë që mbart.
Strukturat mbrojtëse sipas specialisteve i përkasin shekullit V para erës sonë ndërsa materialet arkeologjike të periudhës së bronzit dëshmojnë për një histori shumë më të hershme të këtij vendbanimi, që shkon deri në 3 mijë vite më parë.
Sipas historianit Paulin Zefi, ky fortifikim ka vijuar të jetë i banuar dhe funksional edhe në periudhën e Mesjetës së Hershme, çka mbështetet nga fragmentet e qeramikës të gjetura në sipërfaqe.
Ky sit shihet si një mundësi për zhvillimin e turizmit kulturor nga Bashkia e Lezhës.
Specialistët theksojnë nevojën për nisjen e gërmimeve të mirëfillta arkeologjike dhe ndërhyrjeve konservuese, me qëllim dokumentimin e plotë të vlerave të sitit, përcaktimin e saktë të periudhave të tij të zhvillimit dhe përfshirjen në listën e monumenteve të mbrojtura të trashëgimisë kulturore.


