Formula 1/ Hamilton fiton pas 3 vitesh, britaniku arrin triumfin e 104-t në karrierë

schedule16:56 - 8 Korrik, 2024

schedule 16:56 - 8 Korrik, 2024

E tha edhe vetë se thuajse e kishte humbur besimin.

Lewis Hamilton mund të jetë shtatë herë kampion i botës në Formula 1, por po ashtu ishte ai pilot që nuk kishte arritur asnjë fitore që nga viti 2021.

Në epokën e dominimit të Max Verstappen dhe makinës Red Bull, dukej e vështirë që ai të kthehej te lavdia e vjetër, por më në fund ia doli.

Fitorja erdhi pikërisht aty ku ndihet më shumë, në Çmimin e Madh të Britanisë së Madhe në pistën e Silverstone.

Hamilton, një veteran 39-vjeçar, përfundoi i pari një garë që nisi me kohë të mirë, vazhdoi me reshje shiu dhe përfundoi sërish në të thatë.

Anglezi u nis nga vendi i dytë, pas shokut të skuadrës, George Russell. Dyshja e Mercedes ishte më e mira, por Rusell pati defekt dhe u tërhoq nga gara. Rivalët e tjerë ishin Max Verstappen, kampioni i botës në fuqi, dhe Lando Norris me McLaren.

Hamilton mori kryesimin 12 xhiro para fundit dhe nuk lejoi surpriza, ndërsa emocionet ishin të forta në përfundim.

“Ndoshta ky ishte finishi më I bukur I një gare në gjithë karrierën time. Nuk e prisja. Një garë shumë e bukur. Shtatë xhirot e fundit ishin kaq shumë të gjata. Ndjekësit ishin pranë, dhe shihja Maksin që përpiqej të më kalonte. Gjithsesi, unë e kalova vijën e finishit, dhe nuk po u besoja syve. Kishte kaluar kaq shumë kohë, që nga viti 2021. Kalova momente të vështira dhe ndonjëherë mendoja se nuk do të ndodhte më. U përpoqa të vazhdoja të besoja. Nuk u dorëzova”,- u shpreh piloti britanikm pas fitores së 104-t në Formula 1.

Shtatë herë kampioni i botës u desh të priste 945 ditë për t’u kthyer në shkallën më të lartë të podiumit Natyrisht, britaniku nuk shpreson të fitojë titullin botëror këtë vit, dhe mosha 39-vjeçare nuk e ndihmon aspak, por gjithsesi kjo ditë në Silverston ishte e veçantë, nën brohoritjet e mbi 164 000 tifozëve. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!