Ishte padyshim një nga garat më të bukura. E domosdoshme që të ndodhte një dramë në Formula 1, pas mërzitisë artistokrate në Çmimin e Madh të Monakos.
Në pistën e Barcelonës, dominimi I takoi skuadrës angleze, Meklaren, e cila duket se e ka futur në xhep titullin botëror për konstruktorët.
Dy pilotët e saj, Oskar Piastri dhe Lando Norris, e përfunduan betejën në dy vendet e para, ndonëse anglezi u parakalua në xhiron e parë nga kampioni i botës, Maks Verstapen.
Gjithsesi, ishte e pamundur që një makinë Meklaren të mbahej prapa, dhe Norris e kaloi holandezin që në xhiron e 13-të, për të vazhduar dialogun me partnerin e ekipit.
Në fund, ndodhi drama e vërtetë, pasi skuadra Red Bull I vendosi Verstapenit goma të forta.
Kjo u cilësua një gabim, dhe kampioni I botës u parakalua nga Lëklerk e pastaj u tentua edhe nga Xhorxh Rasëll I Mercedesit.
Holandezi nuk hapi rrugë dhe e goditi rivalin, e për këtë mori një ndëshkim me 10 sekonda, duke zbritur në vendin e 10-të.
Pas garës ishte i dëshpëruar.
“Ishte një moment I madh, në kthesën e fundit. Isha me goma të forta dhe me pak ekuilibër. Ishte shumë e dhimbshme, por ne na lanë gomat. Nuk di nëse do të kishte qenë më mirë një manovër tjetër. Është e lehtë ta thuash tani. Ne kishim goma të forta, ky ishte problemi. Nuk dua të komentoj atë që ndodhi në pistë. Nuk ka vlerë nëse bëjmë kritika tani”.
Në fund fitoi Oskar Piastri, suksesi I pestë këtë sezon në kampionatin botëror në 9 gara gjithsej.
Pikërisht, australiani kryeson renditjen e pilotëve me 186 pikë ndaj 176 të Norrisit, ndërsa Verstapen ka mbetur më prapa me 137 pikë./abcnews.al