Lazio dhe Juventus janë gati për ndeshjen e mbrëmjes së sotme. Simone Inzaghi dhe Maurizio Sarri kanë përzgjedhur “luftëtarët” e përballjes së sotme. 4-3-1-2 është skema e zgjedhur nga trajneri i Juventusit.
Ronaldo dhe Dybala janë të përzgjedhurit në sulm, teksa Bernardeschi do të aktivizohet në rolin e trekuartistit. Si titullar do e nisë edhe Bentacur që formon repartin e mesfushës me Matuidi dhe Pjanic, teksa De Sciglio ka fituar balotazhin me Cuadrado në krahun e djathtë të mbrojtjes.
Lazio po kalon një formë shumë të mirë dhe i ka fituar shtatë ndeshjet e fundit në kampionat. Inzaghi ka zgjedhur skemën 3-5-2. Golat priten nga Immobile dhe Correa, të cilët do të mbështeten nga Luis Alberto dhe Milinkovic-Savic, teksa Thomas Strakosha do të tentojë të frenojë ofensivën e bardhezinjve.
Juventusi ka 36 pikë dhe një fitore sjell parakalimin e Interit dhe e rikthen “Zonjën e Vjetër” në krye. Suksesin do e kërkojë edhe Lazio që ka 30 pikë. Një fitore sonte e fut edhe ekipin kryeqytetas në garë për titull. Atmosfera në “Olimpico” do të jetë e zjarrtë dhe është konfirmuar prezenca e mbi 60 mijë tifozëve. /abcnews.al