Forcat Demokratike Siriane (SDF), të udhëhequra nga kurdët, njoftuan të premten se kanë arritur një marrëveshje të re me qeverinë qendrore të Sirisë, me synimin për të stabilizuar armëpushimin që u dha fund përleshjeve disajavore dhe për t’i përcaktuar hapat drejt integrimit mes dy palëve.
Sipas marrëveshjes, forcat e sigurisë të lidhura me Ministrinë e Brendshme siriane do të hyjnë në qytetet al-Hasakeh dhe Qamishli, në qendër të zonave kurde, ku më parë u ishte ndaluar hyrja. Po ashtu, do të nisë procesi i integrimit të forcave të SDF-së me forcat qeveritare, raporton AP.
Marrëveshja parashikon krijimin e një brigade të re ushtarake që do të përfshijë tri brigada nga SDF-ja, si dhe formimin e një brigade të përbërë nga luftëtarë të SDF-së brenda një brigade të ushtrisë qeveritare në provincën e Alepos.
Institucionet lokale në administratën kurde të Sirisë verilindore, e cila prej vitesh ka funksionuar si një zonë de facto autonome – si dhe punonjësit e tyre, do të integrohen në institucionet shtetërore siriane.
Marrëveshja përfshin gjithashtu garantimin e të drejtave civile dhe arsimore për popullin kurd, si dhe kthimin e personave të zhvendosur në zonat e tyre, thuhet në deklaratë.
“Qëllimi i marrëveshjes është unifikimi i territoreve siriane dhe realizimi i plotë i procesit të integrimit në rajon, përmes forcimit të bashkëpunimit mes palëve të përfshira dhe bashkimit të përpjekjeve për rindërtimin e vendit”, theksohet më tej.


