Pritjes së tifozëve të Napoli-t i erdhi fundit teksa mbrëmjen e djeshme një barazim 1 me 1 në fushën e Udinese mjaftoi për t’i kurorëzuar “blutë” si Kampionët e Italisë, pas 33 vitesh përpjekje për të siguruar “Scudetto”-n e radhës.
Victor Osimhen, Kvicha Kvaratskhelia e tekniku Luciano Spalleti janë padyshim protagonistët kryesorë të këtij sukesei fantastik që çoi në “delir” fansat e “bluve”, mirëpo “organizatori” i vërtetë i kësaj arritjeje është Presidenti Aurelio de Laurentiis.
De Laurentiis e mori klubin në vitin 2004, me Napoli-n që asokohe luante në Serie C, ku përfundoi për shkak të falimentimit dhe nga ai vit gjithçka ndryshoi. Përgjatë 19 viteve në krye të “napoletanëve” në kabinetin e trofeve të klubit u shtuan 3 Kupa Italie dhe 1 Superkupë, por nuk kanë munguar as lojtarët fenomenalë të cilët kanë lënë shenjën e tyre në historinë e futbollit.
Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes dhe shpalljes kampionë mbrëmjen e djeshme, Presidenti De Laurentiis nuk nguroi të uronte fansat e “bluve”, urim të cilin e bëri me anë të një postimi në profilin e tij zyrtar në “Twitter”.
“Një gëzim i jashtëzakonshëm. Forca Napoli gjithmonë dhe përgjithmonë”,- thuhet në postimin, ku edhe pse i shkurtër dallohet haptazi dashuria e madhe e Presidentit për klubin e tij. /i.m /abcnews.al
SHIKONI POSTIMIN:
Una gioia immensa!!! Forza Napoli Sempre. Per Sempre #ADL
— AurelioDeLaurentiis (@ADeLaurentiis) May 4, 2023