“Fondi për Komunitetin”, rikonstruktohet pallati në kryeqytet

schedule13:36 - 9 Janar, 2019

schedule 13:36 - 9 Janar, 2019

Një pallat në njësinë 5 në Tiranë është rikonstruktuar totalisht falë “Fondit për Komunitetin”, një bashkëpunim i banorëve të tij dhe bashkisë së Tiranës. Sipas kryebashkiakut Veliaj, zgjedhja e administratorëve të pallateve iu jep mundësi gjithë banorë të kryeqytetit të aplikojnë për këtë fond.

Edhe pse në një prej zonave më të preferuara të kryeqytetit, 22 familje në rrugën “A. Z. Çajupi” në Njësinë 5 jetonin prej vitesh në një pallat të amortizuar. Por, falë “Fondit të komuniteteve”, një projekt i nisur nga Bashkia e Tiranës, dhe bashkëpunimit mes komunitetit e administratorit të pallatit, realiteti për këta banorë ka ndryshuar. Administratori i pallatit, Gojart Salja, vlerësoi nismën e Bashkisë së Tiranës.

“Në 20 vjet ky pallat s’ka pasur asnjë lloj ndërhyrje nga ana e fasadës, plus kushtet e ndërtimit të asaj kohe kanë qenë shumë të dobëta. Kemi arritur në bashkëpunim me gjithë komunitetin që të realizonim këtë projekt”, tha administratori.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj pa nga afer pallatin e transformuar dhe bisedoi me banoret e tij.

“Dikush mund të thotë: ç’punë ka kryetari i bashkisë me një pallat, Tirana ka 5 mijë pallate. Çështja është se po nuk dhamë një model, nuk kemi se si ta kopjojmë këtë që ka ndodhur me këtë pallat, në 5 mijë pallatet e tjerë të qytetit. Do të thotë, se me pak mukajet dhe bashkëpunim nga 22 familje, duke dhënë gjysmën ata dhe gjysmën bashkia, me Fondin e Komuniteteve, mund ta kthejmë një ndërtesë të degraduar 20-vjeçare me standarde të ndërtimit të rrumpallës të viteve ’90, në një shtëpi në mes të Bllokut, vlera e së cilës shkon në 2 mijë euro metri katror”, tha Veliaj.

Ai ftoi të gjithë qytetarët që të caktojnë sa më parë administratorët e pallateve të tyre dhe përmes tij të aplikojnë për të përfituar nga “Fondi i Komuniteteve”.

Kryebashkiaku  theksoi se krahas vëmendjes për rehabilitimin e pallateve, pjesa më e madhe e investimeve këtë vit do të shkojë për godinat në “Qytetin Studenti” dhe përmirësimin e kushteve të studentëve./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!