“Foltorja” kaos dhe zhurmë në seancë, mazhoranca miraton ligjet, mes tyre investimet strategjike

schedule10:13 - 7 Mars, 2024

schedule 10:13 - 7 Mars, 2024

TIRANË- Ka përfunduar në vetëm pak minuta seanca plenare në Kuvend. Pavarësisht zhurmuesve në sallë, nga deputetët e opozitës të cilët vijuan me skenarin e pengimit të punës në Kuvend duke bllokuar foltoren, janë votuar ligjet sipas rendit të ditës, mes tyre edhe ligji për investimet strategjike.

Në nisje të kësaj seance, nënkryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj ka uruar 7 Marsin, Ditën e Mësuesit. Gjithashtu gjatë fjalës së saj, Felaj ka kritikuar deputetët e opozitës për kaosin dhe pengimin e punës në Kuvend.

“Për shkak të kësaj situate jemi të detyruar të vazhdojmë në mënyrën e zakonshme. Me vjen shumë keq që po vazhdojmë po në të njëjtën mënyrë”, ka thënë Felaj.

Në këtë seance nuk kanë munguar edhe akuzat nga ana e Gazment Bardhit, i cili drejtuar Ermonela Felajt u shpreh se po falsifikon votimin, pasi sipas tij nuk ka kuorum.

Ndërsa si kundërpërgjigje, Felaj ka theksuar se qëllimi i deputetëve mbetet pengimi i vijimit të seancës.

“Ne vazhdojmë të kemi kuorum për votimin. Ju vini për të prishur seancën dhe unë nuk e kam detyrim t’u jap përgjigje”, ka thënë Felaj.

Kuorumi është mbi 71 deputetë, çfarë e bën votimin të ligjshëm sepse ligjet kalojnë me shumicë absolute (50%+1 e atyre që janë të pranishëm në sallë).

Nga ana tjetër edhe deputeti Ervin Salianji nuk i ka kursyer ironitë ndaj deputetëve të mazhorancës, ndërsa ka qëndruar në Foltore duke penguar vijimin e seancës.

Kujtojmë se Foltorja prej disa muajsh vijon me skenarin e saj të bllokimit të punimeve normale të Kuvendit. Në përfundim të kësaj seance kryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj uroi edhe festën e 8 Marsit.

“Në emër të Kuvendit të Shqipërisë vlen urimi për të gjitha gratë, Gëzuar 8 Marsin”, theksoi Felaj. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!