Shqipëria nuk është gati për të zbatuar amnistinë fiskale. Fondi monetar Ndërkombëtar ka kritikuar nismën e qeverisë ndërsa ka argumentuar se drafti duhet të ndryshohet.
Sipas përfaqësueses së FMN Yan Sun amnistia fiskale mund të konsiderohet si një kartë “dalje nga burgu” për shmangësit e mëdhenj të taksave:
“Ne shqyrtuam ligjin e propozuar për amnistinë fiskale të nxjerrë për konsultim publik në qershor. Projektligji ka të ngjarë të dëmtojë moralin tatimor. Amnistia fiskale mund të konsiderohet si një kartë “dalje nga burgu” sepse përfshin një falje të konsiderueshme të taksave, përveç heqjes së plotë të interesit dhe gjobave dhe dhënies së imunitetit efektiv nga ndjekja penale dhe inspektim i mëtejshëm nga forcat e zbatimit të ligjit për sa i përket burimit të fondeve që do të amnistohen. Qeveria duhet të ndryshojë amnistinë fiskale me një program deklarimi vullnetar ,i cili nuk i përjashton nga të gjitha detyrimet tatimore.”
Sipas përfaqësuese së FMN-së si fillim qeveria shqiptare duhet të përmbush disa kushte për zbatimin e amnistisë:
“Një administratë tatimore moderne, kompetente dhe e mirinformuar dhe me mjetet e duhura të kontrollit dhe zbatimit të ligjit. Kjo duhet të ekzistojë për të krijuar besimin se shmangësit e taksave që nuk deklarojnë do të ndiqen dhe ndëshkohen. Një kornizë efektive për luftën kundër pastrimit te parave dhe luftën kundër financimit te terrorizmit. Në rastin e Shqipërisë, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë progres, kapaciteti i saj i audititit dhe hetimit mbetet ende i dobët, performanca e saj në mbledhjen e të ardhurave është e ulët, ndërsa shumë vlerësime nga auditimet mbeten të pa mbledhura, ka akses të pamjaftueshëm automatik në të dhënat e palëve të treta, veçanërisht informacionin e llogarive financiare.”
Ministrja Delina Ibrahimaj nuk bëri asnjë koment në lidhje me zbatimin e amnistisë fiskale ndërsa u ndal vetëm në recensionin ekonomik si pasojë e krizës së çmimeve.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko theksoi se kriza e çmimeve do të godasë fuqinë blerëse të familjeve në Shqipëri .
Sa i përket krizës ekonomike FMN ka rekomanduar që ndihma të jetë më e shënjestruar, në mënyrë që të marrë mbështetje shtresa që vërtetë ka nevojë më shumë./abcnews.al/