FMN: Borxhi i Shqipërisë arrin 83.2 % e PBB-së këtë vit

schedule07:32 - 16 Tetor, 2020

schedule 07:32 - 16 Tetor, 2020

FMN parashikon se borxhi publik i Shqipërisë do të arrijë këtë vit në 83.2 për qind të PBB, niveli më i lartë historik që kur Shqipëria doli nga sistemi komunist.

Ky rezultat është së paku 3.2 pikë përqindje më i lartë se parashikimet kombëtare të Ministrisë Financave në aktin e fundit normativ për ndryshimin e buxhetit që parashikon se borxhi publik të arrijë në 80 për qind të PBB-së.

Pritshmëritë e Fondit për borxhin e Shqipërisë janë përditësuar në aneksin e të dhënave globale për borxhet publike të qeverive në të gjithë botën.

Për vitin 2019, FMN raporton se Shqipëria e kishte stokun e borxhin publik në 67.7 për qind e PBB-së, rezultat i ngjashëm me raportimet e brendshme, por për këtë vit dhe në vijim më 2021 projeksionet janë të larta, duke arritur në 83.2% e PBB-së për secilin vit.

Sipas serisë kohore që FMN ka ndërtuar për borxhin e Shqipërisë, më të dhëna që nga viti 1997, Shqipëria është përballur me një raport të lartë të detyrimeve publike me PBB-në, ku përveç këtij viti, në vitin 1997 dhe në 2015, ku treguesi shënoi respektivisht 72.2 dhe 73.7 % të PBB-së.

Në vitin 1997 vendi u përball me një krizë të brendshme e shkaktuar nga trazirat civile për falimentit të skemave të fajdeve. Më pas raporti i borxhit me PBB-në erdhi në një trajektore në rënie, duke shënuar pikën më të ulët në vitin 2007 me 53.6 %.

Në tre dekadat e tranzicionit ekonomia shqiptare ka përjetuar zhvillimet me pozitive në dhjetëvjeçarin e dytë. Ecuria pozitive në tregjet ndërkombëtare e kombinuar edhe me investime në tregun e brendshëm e rritën ekonominë me ritmet vjetore mbi 6%.

Në këtë periudhë investime të mëdha nga Europa Perëndimore u futën në telekomunikacione dhe në sektorin bankar. Rritja e kredisë për ekonominë me ritme të larta i dha hov konsumit dhe investimeve në vend e për pasojë bilancet fiskale u përmirësuan. Kjo ecuri ndikoi për mirë ecurinë e borxhit publik deri sa ndodhi kriza financiare e vitit 2008, e cila dha një goditje zinxhir ekonominë.

Por kriza që ka krijuar pandemia ka qenë më e forta sa i takon dëmit në llogaritë fiskale.

FMN në një deklaratë të fundit pas përfundimit të misionit virtual në Shqipëri ka bërë të ditur se ekonomia pritet të tkurret me -7.5% ketë vit, nga -5% që ishte pritshmëria në prill, kur sa kishte nisur pandemia.

Fondi ka bërë thirrje për rritjen e të ardhurave dhe një sistem më transparent fiskal si dhe në ruajtjen e stabilitetit financiar, pasi pritet rritje e kredive me probleme.

Fondi sugjeron së Shqipëria duhet të mbështetjen për ekonominë edhe në vitin 2021, por me rimëkëmbjen e rritjes ekonomike, buxheti duhet të përpiqet të arrijë edhe një rënie modeste të nivelit të borxhit. Progres i mëtejshëm nevojitet në fushën e rikrijimit të hapësirës për manovrim me politikën buxhetore nëpërmjet uljes së deficitit fiskal duhet të trupëzohet në një program buxhetor afatmesëm të besueshëm.

Gjatë vitit 2021, sipas FMN, autoritetet duhet të kufizojnë shpenzimet jo prioritare, për të krijuar hapësirë për shpenzime të mjaftueshme për kujdesin shëndetësor lidhur me pandeminë dhe për mbrojtjen sociale të grupeve më të cenuara, si dhe për të mbajtur një nivel likuiditeti të konsiderueshëm si rezervë, rekomandon Fondi./Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!