Florian Marku: Do stërvitem me McGregor, ruhet nga tropojanë. Khabib më lodh

schedule09:11 - 21 Maj, 2020

schedule 09:11 - 21 Maj, 2020

Florian Marku, boksieri shqiptar që provoi të ndeshej edhe në MMA, ndodhet në Londër dhe po e shfrytëzon këtë periudhë për t’u rikuperuar pas ndërhyrjeve që ka pasur. Boksieri tregon se ka qenë sëmurë dhe kjo periudhë e ka ndihmuar atë.

“Më ka ndihmuar shumë kjo kohë, pasi kam bërë një operacion në janar dhe kam pasur mundësi të rikuperohem më së miri. Është folur shumë që koronavirusi është mashtrim, por unë vetë kam qenë për 14 ditë i sëmurë, me temperaturë, por më pas kaloi çdo gjë”, tregon Marku, në një lidhje direkte me emisionin “Fan Zone” në Supersport.

Dëmtimi i përket së shkuarës dhe tani bëhet gati për në ring: “Presim për në korrik, por nuk kemi akoma saktësisht një datë. Kjo për shkak se situata është pak kaotike. Gjithsesi unë jam gati në çdo kohë”.  Marku është i fejuar dhe nga studio e ngacmojnë.

“Unë jam tërë kohës bashkë me të dhe lëvizim shumë, ndaj jemi duke e ndërtuar bashkë gjithçka. Boksi është bërë pjesë e jetës tonë, jo vetëm për mua, por edhe për atë, që pret ndeshjet me të njëjtën dëshirë si unë”, shton boksieri.

Marku më parë ka postuar edhe një foto me Connor McGregor: “Çunat që ruajnë atë janë shqiptarë nga Tropoja dhe më kanë mundësuar që kur të kalojë kjo situatë të stërvitem për disa kohë me të, për të ndihmuar njëri-tjetrin”.

Khabib apo McGregor? Marku bën zgjedhjen e tij: “Të them të drejtën Khabib më lodh, pasi ka armë të fortë vetëm mundjen dhe e lodh shumë kundërshtarin në atë pikë e pastaj e dominon edhe lart, por është më i mirë”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!