Flick: Nuk e dhamë grushtin final! E ardhmja? Duhet respektuar një trajner kur s’do të flasë

schedule08:57 - 14 Prill, 2021

schedule 08:57 - 14 Prill, 2021

Hansi Flick ka pranuar eliminimin nga Champions League, edhe pse ende i dhemb ai gol i tretë që pësuan në Munih në ndeshjen e parë.  “Duke pasur pasur parasysh ndeshjen e parë, me gjithë ato raste që patëm dhe ato që u dhuruam atyre, pa atë golin e tretë të pësuar ne do të kualifikoheshim. Ju e keni parë se sa të rrezikshëm janë ata në sulm.

Duhet ta komplimentoj skuadrën time, edhe pse PSG u kualifikua. Si humbës normalisht edhe i përgëzoj ata për kalimin në gjysmëfinale”, ka thënë fillimisht për “Sky Germany” Flick, ndërkohë që ka vënë më pas në dukje problemin që pati skuadra e tij në duelin e mbrëmshëm që e fituan me rezultatin minimal 1-0.

“Normalisht skuadra ime ka shumë kualitet në sulm, por këtë herë nuk e dhamë dot atë grushtin final. Ne duhet ta pranojmë atë që ka ndodhur, edhe pse do të kishim dashur një tjetër rezultat”, shtoi trajneri gjerman, i cili vjet triumfoi në Champions League, duke mundur pikërisht Parisin në finale. Më pas Flick u ngacmua edhe në lidhje me të ardhmen, pasi në Gjermani janë të bindur se në verë do të marrë drejtimin e kombëtares.

“Kam një kontratë me Bayern, por gjithmonë mendoj se çfarë do të ndodhë tani apo si do të shkojnë gjërat më tej. Gjithsesi, pavarësisht çdo vendimi, familja ime është në krahun tim. Është fakt që javët e fundit pyetjet kanë ardhur prej jush dhe janë përsëritur. Natyrisht bëhet e vështirë, pasi ju vazhdoni e dilni me pyetje të reja. Ju duhet të jeni gjithashtu në gjendje të respektoni kur një trajner nuk është i interesuar të flasë për diçka.

Për mua suksesi është një proces i vazhdueshëm dhe me 6 titujt e fituar kemi vendosur një pikë referimi. Kjo është arsyeja pse edhe unë kam idenë e vendosjes së sfidave të reja. Për familjen time nuk ka rëndësi nëse jam në krye të Gjermanisë apo të Bayern Munich.

Familja ime thjesht dëshiron që të ta shijoj punën që bëj dhe të jem i lumtur. Sa i takon marrëdhënies me Salihamidzic, ajo është e qëndrueshme dhe asgjë nuk do të ndryshojë në të. Unë bëj punën time, ai të veten. Kemi akoma edhe 6 ndeshje në Bundesliga dhe duhet të fokusohemi aty për momentin”, ka përfunduar Flick. /abcnews.al