Fletët me kod, a u përgjuan votuesit më 25 Prill? Celibashi: Ka ZERO mundësi të plotësohen dy kushtet

schedule18:56 - 4 Maj, 2021

schedule 18:56 - 4 Maj, 2021

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi në përgjigje të pyetjes së avokatit Adriatik Lapaj ka sqaruar arsyen pse çdo fletë votimi ka një kod të veçantë që e dallon atë nga të tjerat. Celibashi thotë se ka zero mundësi që të kuptohet mënyra e votimit përmes këtij kodi duke e përllogaritur atë me radhën e votimit. Celibashi thekson se kodi i veçantë ka për qëllim të bëjë çdo fletë votimi unike në mënyrë që të mos bëhen kopje të saj nga prodhues të tjerë të paautorizuar.

“Duke e falenderuar Adriatik Lapaj për pyetjen e ngritur dhe duke marrë në konsideratë interesin e opinionit publik sqaroj se: Ka ZERO mundësi që ne (kushdo) të marrim dijeni mbi mënyrën e votimit të një votuesi duke lidhur radhën e votimit të tij me leximin e QR-Kode të fletës së votimit (që ky votues ka marë dhe e ka hedhur në kutin e votimit).

Është e vërtetë që QR-Kode është i veçantë për çdo fletë votimi. Kjo bëhet me qëllim që çdo fletë votimi të jetë unike. Duke qenë unike, e personalizuar fleta e votimit nuk ka asnjë mundësi që dikush tjetër (i paautorizuar nga KQZ) të jetë “prodhues” i saj. Pra, në kutitë e votimit të jenë vetëm fletët e votimit që janë prodhuar nga KQZ. Ndaj edhe bëhet personalizimi dhe sekretimi i tyre edhe nëpermjet vendosjes së QR-Kod.

Nëse ne dimë (i) radhën e votimit të një votuesi dhe dimë se (ii) cilën nga fletët e votimit ai ka marrë, atëherë po ne kemi mundësi të dimë se cila ka qenë vota i tij. Pra, duhet të plotësohen patjetër këto dy kushte që ne të kemi mundësi të marrim dijeni për kë ka votuar votuesi në fjalë. Ne nuk e dimë kurrsesi dhe nuk nuk kemi mundësi ta dimë se cilën fletë votimit (me cilin QR-Kod) ka marrë votuesi, (apo votuesit) edhe nëse ne dimë radhën e votimit të zgjedhësit. Dhe dijenia për radhën është më e mundur nga vetë anëtarët e komisioneve dhe/ose vëzhguesit në qendrën e votimit se sa nga Pajisja Elektronike e Identifikimit (PEI). Nëse flasim për PEI, ajo nuk shënon radhën e votimit.

Ndaj për të plotësuar kushtin e parë atë të dijenisë së radhës së votimit të një votuesi nuk “na duhet” PEI. Kjo do të thotë se është pa vend shqetësimi për identifikimin e votës për shkak të përdorimit të PEI.

Nga ana tjetër është e pamundur që të kemi plotësimin edhe të kushtit të dytë. Atij të identifikimit të fletës së votimit që i jepet votuesit radhën e të cilit presupozojmë se dimë. Fletët e votimit janë të prodhura në blloqe të ndarë nga njëri-tjetri, të gjithë të njëjtë në sasi dhe në mënyrë paketimi. Në momentin e fillimit të votimit Komisioni i Qendrës së Votimit merr rastësisht njërin nga blloqet me fletë votimi. Nuk ka radhë në zgjedhjen e bllokut të fletëve të votimit.

Është qartë që në kushtet e zgjedhjes rastësore të bllokut të fletëve të votimit, të dhënies së fletës së votimit të marrë rastësisht nga grumbulli i fletëve të votimit, shkëputur nga blloku, ka ZERO shans, që të dimë se cilën fletë në radhën e gjithë fletëve ka marrë një votues i caktuar.

Matematikisht, sikur vetëm një herë të prishet radha (nëse për një moment pranojmë që mundet ta gjejmë radhën e fletëve të votimit), atëherë në asnjë mënyrë nuk do të dimë se kë fletë votimi ka marrë kush”, shkruan Celibashi./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!