Flasin ukrainasit që shpëtuan nga duart e rusëve: Askush nuk votoi në referendume, nuk e duam aneksimin

schedule15:44 - 28 Shtator, 2022

schedule 15:44 - 28 Shtator, 2022

“Është qesharake. Askush nuk votoi, por rezultatet dolën,” u shpreh ndërsa vinte buzën në gaz Lyubomir Boyko, 43 vjeç, nga Golo Pristan, një fshat në provincën Kherson të Ukrainës, që aktualisht kontrollohet nga Rusia.

Ndërsa Rusia përgatitet të aneksojë një pjesë të territorit ukrainas me madhësinë e Portugalisë, pasi mbajti ato që ajo i përshkroi si referendume në katër provinca të pushtuara, ukrainasit që arritën të shpëtonin përshkruajnë një proces që mund të ishte qesharak nëse nuk do të ishte aq kërcënues.

“Ata mund të shpallin çfarë të duan. Askush nuk votoi në referendum, përveç disa njerëzve që ndërruan anën. Kanë shkuar shtëpi më shtëpi, por askush nuk ka dalë”, tha Bojko.

Ai, gruaja e tij dhe dy fëmijët e tyre kishin mbërritur në qendrën e ndihmës në parkingun e një dyqani në qytetin Zaporizhia një ditë më parë, pasi kishin pritur për dy ditë përpara se forcat ruse t’i lejonin ata të kalonin pikën e fundit të kontrollit.

Ata që ikin nga territori i kontrolluar nga Rusia thonë se i ashtuquajturi referendum u organizua nga njerëz të armatosur që i detyruan banorët t’i hidhnin votat në kutitë e votimit në mes të rrugës.

Frika më e madhe tashmë është se sapo Moska ta shpallë këtë territor pjesë të Rusisë, do të fillojë menjëherë t’i detyrojë njerëzit të luftojnë me forcat e saj. /abcnews.al/