Flasin shokët e Klodian Rashës: Ishte me ne deri në orën 11:00, më vonë ka dalë për të blerë cigare

schedule10:46 - 9 Dhjetor, 2020

schedule 10:46 - 9 Dhjetor, 2020

Shokët e 25-vjeçarit që u vra, e përshkruajnë atë si njeri shumë të qetë dhe kurrë nuk ka pasur armë. Për mediat njëri prej tyre, thotë se Klodiani ka qenë me ta deri në orën 11:00 dhe në orën që është përballur me policinë ka dalë për të blerë cigare në një kioskë që rri hapur 24 orë në “Don Bosko”.

“Unë jam shoku i Klodiani. Klodianin, e kemi pasur 20 vjet shok. Ka qenë njeri që ka gëzuar respektin  çdo njeriu që e ka takuar të paktën një herë në jetë dhe natën që ka ndodhur ngjarja Klodiani ka qenë me ne deri në orën 11:00 të natës. Dhe aq sa jam unë tani i armatosur ka qenë edhe Klodiani. Nuk ka pasur kurrë armë në jetën e tij. Familja e di më mirë që ai as në shtëpi, as në lagje kurrë në jetën e tij nuk ka pasur armë. Nuk ka qenë njeri që mund të cilësohej me rrezikshmëri. Ai ka dalë jashtë orës për të blerë cigare në një kioskë që rri 24 orë hapur, tek ‘Don Bosko’. Nuk ka qenë person me rrezikshmëri. Ka qenë natyrë shumë e qetë, i respektonte njerëzit”, thotë Orjon Mulgeci.

I riu e konsideron të paligjshëm veprimin e policisë, ndërsa thekson se për ngjarjen janë dhënë versionin të ndryshme. Ai thotë se Klodiani nuk kishte probleme serioze me shëndetin dhe se ishte normal.

LEXO EDHE: U vra nga polici pas mesnate, fqinjet: Klodiani nuk ngacmonte njeri, rruga ka qenë e ndriçuar

“Veprimin e policisë e konsideroj të paligjshëm. Brenda një kohe të shkurtër janë dhënë tre njoftime të ndryshme. Arma nuk i përkiste Klodian Rashës. Ishte me ne deri në orën 11. Ai nuk kishte probleme, dilte nga shtëpia deri në lagje. Nuk kishte probleme, të gjithë e respektonin. Më shumë se kemi humbur shokun na dhemb që është njollosur.

 Si çdo njeri që mund të merrte ilaçe për diçka të vogël, nuk kishte gjë serioze. Ishte njeri shumë normal. Ne nuk jemi thirrur për të bërë deklaratë. Ne jemi të partë që do të protestojmë”, thotë ai.

Klodian Rasha u qëllua nga efektivi i policisë dhe gjeti vdekjen e menjëhershme, pasi nuk iu bind urdhrit të tij për të ndaluar, ndërsa kishte shkelur orën policore.

I riu u qëllua për vdekje në rrugën “Dritan Hoxha”, ndërsa mori dy plumba, një në kokë dhe një në shpatull. Uniformat blu thanë se i riu është qëlluar pasi nuk i është bindur urdhrit dhe ka kanosur me sende te forta policin.

Ndërkohë, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat konstatoi se efektivi i policisë ka thyer ligjin për përdorimin e armëve. Veprimi i tij duke qëlluar me pistolete në kokë dhe shpatull 25 vjeçarin nuk ka qenë në proporcion me rrezikun që ka pasur. g.v/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!