Pasi bënë xhiron e botës, dy ish sulmuesit e kombëtares së Shqipërisë, Sokol Cikalleshi dhe Armando Sadiku priten të kthehen aty ku hodhën hapat e para në futboll. Pikërisht në kampionatin shqiptar, ku Flamurtari kërkon shërbimet dhe golat e tyre për të përmbysur një sezon që në gjysmën e tij të parë ka qenë zhgënjyes.
Në klubin vlonjat janë gati të bëjnë këtë investim të rëndësishëm në dritaren e transferimeve të janarit, ndërsa bisedimet kanë nisur prej disa ditësh.
Madje, Sokol Cikalleshi ishte vetë në qytetin bregdetar ku u takua për disa orë me presidentin e Flamurtarit, Idrizi.
Në këtë mënyrë, bazat e marrëveshjes janë vendosur, ndërsa me nisjen e 2026 pritet edhe “tymi i bardhë” për zyrtarizimin e transferimit të futbollistit 35 vjeçar, që prej nisjes së këtij viti është pa një ekip.
Ndërkohë, në Vlorë qarkullon edhe emri i Armando Sadikut.
Ish sulmuesi tjetër I kombëtares pretendohet të jetë një tjetër transferim i bujshëm te Flamurtari në merkaton e janarit. Aktualisht, 34 vjeçari luan në Zvicër me Bellinzona dhe ndryshe nga Cikalleshi është në aktivitet dhe duhet një ofertë bindëse për ta kthyer në futbollin shqiptar.
Por ëndrrat nuk kushtojnë, ndërsa e sigurt është që te Flamurtari janë në kërkim të dëshpëruar për gola, në mënyrë që të shpëtojnë sezonin për të vazhduar të qëndrojnë në kampionatin elitar.


