Fizikanët zbulojnë një forcë të pestë të natyrës

schedule09:28 - 8 Prill, 2021

schedule 09:28 - 8 Prill, 2021

Nga ngjitja e një magneti në derën e frigoriferi deri te hedhja e një topi në rrjetën e basketbollit, forcat e fizikës janë në lojë në çdo moment të jetës tonë.

Forcat që përjetojmë çdo ditë ndahen në katër kategori; graviteti, elektromagnetizmi, forca e fortë dhe forca e dobët.

4 forcat themelorë të natyrës rregullojnë mënyrën sesi të gjithë objektet dhe grimcat në Univers ndërverpojnë me njëri-tjetrin. Për shembull, graviteti bën që objektet të bien në tokë, ndërsa objektet e rënda të sillen si të jenë të ngjitura në dysheme.

Por, tani, fizikanët thonë se kanë gjetur një forcë të pestë. Gjetjet vijnë nga kërkimet e kryera në një laborator afër Çikagos, informon abcnews.al.

Këshilli i Objekteve të Shkencës dhe Teknologjisë së Mbretërisë së Bashkuar (STFC) tha se, rezultati “ofron prova të forta për ekzistencën e një grimce nën-atomike ose zbulimin e një force të re”.

Prof Mark Lancaster, i cili është udhëheqësi i Mbretërisë së Bashkuar për eksperimentin, tha për BBC News:  “Ne kemi gjetur se bashkëveprimi i muoneve nuk është në përputhje me Modelin Standard (teoria aktuale e pranuar gjerësisht për të shpjeguar sesi sillen blloqet ndërtuese të Universit)”.

Studiuesi i Universitetit të Mançesterit shtoi se: “Është e qartë se kjo është shumë emocionuese sepse potencialisht tregon për një të ardhme me ligje të reja të fizikës, grimca të reja dhe një forcë të re të cilën ne nuk e kemi parë deri më sot”.

Eksperimenti Muon g-2 përfshin dërgimin e grimcave rreth një unaze prej 14 metrash dhe më pas aplikimin e një fushe magnetike. Sipas ligjeve aktuale të fizikës, të koduara në Modelin Standard, kjo duhet t’i bëjë muonët të lëkunden me një shpejtësi të caktuar, informon abcnews.al.

Në vend të kësaj, shkencëtarët zbuluan se muonët lëkundeshin me një shpejtësi më të shpejtë sesa pritej. Kjo mund të shkaktohet nga një forcë e natyrës që është krejtësisht e re për shkencën.

Askush ende nuk e di se çfarë bën kjo forcë e re e mundshme, përveç ndikimit në grimcat e muonit. Fizikanët teorikë besojnë se mund të shoqërohet gjithashtu me një grimcë nën-atomike ende të pazbuluar. Një forcë e pestë themelore mund të ndihmojë në shpjegimin e disa prej enigmave të mëdha rreth Universit.

Për shembull, vëzhgimi se zgjerimi i Universit po shpejtohej i atribuohej një fenomeni misterioz të njohur si energjia e errët. Por disa studiues kanë thënë më parë se mund të jetë provë e një force të pestë./ Përshtati nga BBC,e.b-abcnews.al