Fituesja e Nobelit për Paqe: Populli do të fitojë ndaj regjimit iranian

schedule20:44 - 10 Dhjetor, 2023

schedule 20:44 - 10 Dhjetor, 2023

Populli iranian do ta mposhtë një herë e mirë autoritarizmin e vendosur nga qeveria, e cila ka humbur ligjshmërinë dhe mbështetjen e popullit, tha nga burgu fituesja e Çmimit Nobel për Paqe, Narges Mohammadi, në një fjalim që u lexua nga fëmijët e saj të dielën. Komiteti norvegjez i Nobelit e nderoi me këtë çmim zonjën Mohammadit në tetor, për luftën e saj “kundër shtypjes së grave në Iran” dhe për mbështetjen e të drejtave të njeriut për të gjithë.

Binjakët e saj 17 vjeçarë, Kiana dhe Ali Rahmani, pranuan çmimin, një medalje ari dhe një diplomë, në një ceremoni në Oslo të Norvegjisë, ku morën pjesë disa qindra të ftuar. Çmimi përfshin edhe një çek prej rreth 1 milion dollarësh.
Në fjalimin e saj, të cilin e dërgoi nga burgu famëkeq Evin në Iran, zonja Mohammadi tha se rezistenca e vazhdueshme dhe mospërdorimi i dhunës janë strategjitë më të mira për të sjellë ndryshim.

“Populli iranian, me këmbëngulje, do ta mposhtë autoritarizmin dhe shtypjen. Mos kini dyshime, kjo është e sigurt”, shkroi ajo në fjalimin e saj në gjuhën frënge.
Narges Mohammad po vuan dënime të shumta nën akuzat që përfshijnë përhapjen e propagandës kundër Republikës Islamike. Ajo u arrestua në nëntor 2021.
“Po e shkruaj këtë mesazh brenda mureve të larta dhe të ftohta të burgut”, tha zonja Mohammadi, duke shtuar se ajo dhe shumë aktivistë të tjerë në Iran po luftojnë për “të mbetur gjallë”.

Ajo e fitoi këtë çmim rreth një vit pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini në paraburgimin e policisë së moralit të Iranit, e cila u arrestua nën akuzën se nuk kishte veshur si duhej hixhabin. Vdekja e 22 vjeçares nxiti protesta në të gjithë vendin./voa/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!