Fitorja në Bilbao afron edhe më shumë Barcelonën me titullin

schedule15:43 - 29 Tetor, 2017

schedule 15:43 - 29 Tetor, 2017

Barcelona duket se është në sezonin e duhur për të dominuar sërish në Spanjë dhe, ndoshta edhe në Europë. Fitorja në fushën e Bilbaos ia forcoi pozitat në krye të kampionatit.
Detyra u realizua më së miri.
Kur një ekip fiton në Bilbao, do të thotë se shanset për titull I ka shumë më të mëdha, dhe kështu besohet se është edhe për Barcelonën.
Lionel Mesi dhe yjet e tjerë u pritën me ngrohtësi nga tifozët në aeroportin “El Prat” të Barcelonës, ashtu si edhe trajneri Ernesto Valverde që kaloi një provë shumë emocionuese, kundër ish-ekipit që drejtoi me sukses për shumë vjet.
Ka shumë meritë ky trajner, ashtu si edhe Mesi, pasi kjo Barcelonë nuk është ajo që duhej të ishte, me blerjen Dembele të dëmtuar, dhe me të dëshiruarin e madh, Filip Kutinjo, që ndoshta vjen në janar.
Në “San Mames”, Mesi shënoi dhe Mesi ndihmoi të shënohej.
Argjentinasi arriti në kuotën 12 gola në ligën spanjolle këtë sezon, duke qenë në krye të renditjes së shënuesve.
Ishte po ai që shuajti shpresat e Atletikut vendas në sekondat e fundit, duke dirigjuar një kundërsulm të përsosur, përfunduar nga Suarez e Paulinjo.
Edhe pse humbi në mënyrë të pabesueshme një gol të sigurt, sërish numri 10 e tregoi veten ashtu siç është, më të mirin futbollist në botë.
Gjithsesi, vetëm Mesi nuk do të mjaftonte.
Nuk mund të harrohen as Pike, Paulinjo, Gomesh, por në Bilbao veçohet vetëm një tjetër, portieri Andre Ter Shtegen.
Gjermani bëri pritje të pabesueshme ndaj sulmuesit kryesor të Atletikut, Ariz Aduriz.
Tashmë, Barça ka 28 pikë pas 10 javëve kampionat, me plot 28 gola të shënuar dhe vetëm 3 të pësuar, ndërsa pret të shkëlqejë edhe më shumë me ardhjen e Kutinjos nga Liverpuli.
Shpresat janë që të rikthehen sërish kohët e mëdha dhe të fitohen titulli e Championsi, ashtu si në kohën e Guardiolës e Luis Enrikes.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!