Fitorja, Muriel dhe titulli: rrëfehet “arkitekti” i Atalantës

schedule17:22 - 27 Tetor, 2019

schedule 17:22 - 27 Tetor, 2019

Atalanta la pas krahëve humbjen në mesjavë kundër Manchester City dhe u rikthye te suksesi në kampionat. Gjimshti me shokë (u aktivizua si titullar dhe luajti 52 minuta) shkatërruan në shtëpi 7-1 Udineses dhe renditen në vend të tretë me 20 pikë, tre më pak se Juventusi kryesues.

Gian Piero Gasperini është shumë i kënaqur me paraqitjen e ekipit të tij, që është edhe sulmi më i mirë në Serie A. Trajneri i Atalantës ndalet te dyshja Ilicic-Muriel dhe komentin aventurën në Champions League. Atalanta po fluturon në kampionat, por trajneri nuk dëshiron të flasë për titullin kampion.

FITORJA – “Jam shumë i lumtur. Kartoni i kuq i Udineses na ndihmoi dhe më pas ishim të papërballueshëm. Po shënojmë shumë gola prej një viti e gjysmë, madje gola me cilësi. Kjo është forca jonë e madhe dhe na lejon të kalojmë edhe momentet e vështira. Ditë e madhe për ne. Skuadra po luan bukur, edhe renditja është e tillë”.

ILICIC – “Sot ishte i jashtëzakonshëm. Kishte zhvilluar ndeshje të nivelit të lartë në fillim të sezonit, më pas dukej i lodhur. Mbetet një futbollist fantastik dhe sot po luante me një marsh më shumë”.

Lojtarët e Atalantës duke festuar një nga golat e sotëm

MURIEL – “Më duhet të punoj ende me të, mund të rritet akoma. Mund të shënojë më shumë, ka një potencial të jashtëzakonshëm. Sa më afër portës që të luajë, aq më vdekjeprurës është”.

CHAMPIONS – “Është një eksperiencë që do të na rrisë shumë për të bërë më mirë në kampionat. Tani duam të bëjmë mirë në tre ndeshjet e mbetura në Evropë. Rëndësi ka të mos heqim dorë nga mentaliteti jonë”.

TITULLI – “Jo, vetëm Juventusi mund ta humbasë titullin. Në garë janë Interi, Napoli. Më pas vijnë skuadrat e tjera. Kampionati sapo ka nisur”. /abcnews.al