Fitorja, Europa League dhe penalltia: Strakosha ka një mesazh

schedule10:16 - 11 Nëntor, 2019

schedule 10:16 - 11 Nëntor, 2019

Lazio arriti fitoren e katërt radhazi në kampionat kundër Lecces. Ekipi kryeqytetas fitoi 4-2 dhe tani ndan vendin e tretë me Cagliarin. Thomas Strakosha zhvilloi një ndeshje pozitive, nuk kishte asnjë faj te golat, teksa i priti një penallti sulmuesit Babacar.

24-vjeçari ka dhënë një prononcim për Lazio Style Channel, aty ku analizon fitoren dhe golat e pësuar. Vetëm Juventusi, Verona, Interi dhe Cagliari kanë pësuar më pak se shqiptari i Lazios. Strakosha pranon ecurinë e dobët në Europa League, por ekipi ka merituar më shumë pikë sesa ka marrë.

Për fat fituam, por vuajtëm jo pak. Djersitëm si ekip dhe në fund fituam në stilin tonë. E dinim që Lecce ka personalitet dhe në disa duele në ajër u treguan më të aftë se ne. Reaguam mirë, por mund të evitohej goli i dytë që pësuam. Të ndodh që të humbasësh përqendrimin pas një rezultati të tillë. Jam i lumtur dhe tani mund të pushojmë pak në pauzën e kombëtareve.

Nuk dua të pësoj gol kurrë, sot më shënuan dy herë dhe kjo më bezdis. Që prej momentit që jam pjesë e Lazios, kemi vlerësuar maksimalisht çdo kompeticion ku kemi marrë pjesë. Kemi hasur vështirësi në Europa League, por disa rezultate nuk kanë treguar realitetin. Mund të kishim bërë më mirë, por janë edhe dy ndeshje deri në fund. Le të mësojmë nga gabimet tona. Penalltia? U acarova që pësova gol pas pritjes së penalltisë, shyqyr që u anulua goli i Lapadulës“, përfundon portieri shqiptar i ekipit bardhekaltër. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!