Atalanta nuk u ndal as kundër Sampdorias dhe Berat Djimsiti me shokë po tentojnë të shpallen nënkampionë të Italisë. Skuadra bergamaske fitoi 2-0 mbrëmjen e kaluar kundër Sampdorias (triumfi i nëntë radhazi në kampionat), parakaloi Interin në renditje dhe vendi i dytë, që mbahet nga Lazio, është vetëm dy pikë larg.
Djemtë e Gasperinit vazhdojnë të dhurojnë performanca shumë të mira dhe sulmi ka realizuar 102 gola në këtë sezon në të gjithë kompeticionet, një shifër e jashtëzakonshme. Sekretin e kësaj Atalante e tregon Papu Gomez në një prononcim për Sky Sports.
“Kemi një mentalitet të fortë dhe ky grup lojtarësh dëshiron të përmirësohet gjithmonë. Kjo është forca më e madhe e Atalantës. Unë i nënvlerësuar? Më mirë kështu. Jam përpjekur gjithmonë ta bëj të madh këtë klub dhe ia kemi dalë të qëndrojë në nivele të larta në vitet e fundit“, deklaron kapiteni i një prej realiteteve më të bukura në Serie A. /abcnews.al