Fitore si “oksigjen”/ Tirana mund 1-0 Skënderbeun dhe largohet nga “zona e ftohtë”

schedule13:13 - 17 Shkurt, 2025

schedule 13:13 - 17 Shkurt, 2025

Momenti vazhdon të jetë i vështirë, por shpresa po shtohet. Pas barazimit në derbi që mund të kishte qenë edhe fitore, Tirana mori tri pikë tepër të rëndësishme në duelin e javës së 25-të të Superligës ndaj Skënderbeut, luajtur në “Elbasan Arenë”.

Ishte një përballje e ashpër, ku korçarët nuk u lëshuan terren kryeqytetasve dhe u duk se gjithçka do të përfundonte në një tjetër barazim. Jo më kot, rekordmenët e titujve në Shqipëri ndjenë mungesat e shumta për shkak të kartonëve ndaj Partizanit. Gjithsesi, pranë fundit, në minutën e 82-të, një lojtar 16-vjeçar u bë shpëtimtar për bardheblutë.

Serxho Vogli fitoi penallti, vetëm katër minuta pasi kishte hyrë në fushë si zëvendësues. Njëmbëdhjetëmetërshin e ktheu në gol Bajroviç.

Korçarët pretenduan dy herë edhe ata për penallti, por nuk fituan asgjë, ashtu si edhe tiranasit në pjesën e parë. Me këtë fitore, skuadra e drejtuar nga trajneri Bledi Shkëmbi u ngjit në vendin e 7-të në renditjen e Superligës, me 26 pikë, duke qenë dy pikë mbi zonën që të zbret direkt në Kategorinë e Parë, dhe 4 pikë poshtë vendit të pestë.

Skënderbeu, ndërkaq u zhyt edhe më keq në fund me vetëm 20 pikë. Në ndeshjen tjetër të kësaj të diele, Laçi arriti një fitore që mund të jetë vendimtare dhe që tregon se skuadra e drejtuar nga trajneri italian Moriero po rritet.

Shifrat 3-0 ndaj Teutës flasin vetë, ndërsa golat u shënuan nga Paulo Zhunior në minutën e 26-të dhe dy herë nga Melo, në minutat 66 e 88. Kurbinasit kanë 30 pikë, po aq sa Elbasani, ndërsa durrsakët janë të parafundit me 24./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!