“Fitore që tregon shumë”, Conte: Eriksen qëndron. Lukaku? Më pëlqeu ta shihja të nxehur

schedule08:36 - 27 Janar, 2021

schedule 08:36 - 27 Janar, 2021

Inter arriti një fitore shumë të rëndësishme mbrëmjen e djeshme ndaj Milanit, duke e mundur me përmbysje 2-1 dhe siguruar kalimin në gjysmëfinale të Kupës së Italisë.

Pas ndeshjes për mediet foli trajneri i zikaltërve, Antonio Conte, i cili foli për ecurinë e ndeshjes, sherrin me Lukakut dhe Ibras dhe Eriksen.

“Jemi në gjysmëfinale, vitin e dytë me radhë ne kemi arritur këtu, kështu që lojtarët kanë merita sepse kishin qasjen e duhur nga fillimi deri në fund. Ishte ndeshje e vështirë, Milani është ekip i fortë dhe janë në krye të renditjes, kështu që eliminimi i tyre në çerekfinale është diçka për të qenë i lumtur.

Milani gjithashtu ka shumë cilësi, por edhe 11 kundër 11 patëm shanset për ta përmbyshur golin e shënuar nga ata. Ne morëm iniciativën gjatë gjithë kohës, portieri i tyre ishte më i miri i ndeshjes.

 

Megjithatë duhet të rekflektojmë dhe të mos humbim kaq shumë shanse. Ne duhet të jemi më të vendosur përpara portës dhe nuk mund të vazhdojmë kështu, ose përfundojmë duke mos fituar ndeshje që meritojmë.

Sherri Ibra-Lukaku? Është një derbi, nuk është një shëtitje në park. Ishte e pashmangshme që të dy ekipet të ndjenin tension, kështu që ne duam t’ia kushtojmë këtë fitore tifozëve tanë, veçanërisht atyre që dolën të na brohorisnin në autobusin e ekipit. Ne duam ta ndajmë këtë gëzim me ta.

Tërbimi i Lukakut? Të them të drejtën, unë kam qenë lojtar, kështu që unë e di se gjatë një ndeshje gjaknxehtësia mund të ndizet dhe situatat të ndodhin kur ju zemëroheni. E rëndësishme është ta mbash atë në masën e duhur.

Lukakun e pashë shumë të përqendruar. Ibra ka vendosmërinë e një fituesi, një luftëtari dhe unë mendoj se Romelu po rritet në atë aspekt. Unë vetëm mund të jem i lumtur kur e shoh atë të ndezur.

Eriksen? Kam një muaj që them të njëjtën gjë: kjo është skuadra e Interit për këtë sezon. Askush nuk do të vijë, askush nuk do të largohet. Vazhdoj ta them dhe askush nuk më beson.

Po punojmë me Eriksen në nivelin taktik për të gjetur një alternativë për Brozovic, sepse nuk kemi dikë të tillë në skuadër. Christian është djalë shumë inteligjent, ka cilësi, është pjesë e projektit dhe unë jam i lumtur që shënoi atë gol. Me të vërtetë dëshiroja që ai ta godiste, pasi të gjithë e dimë cilësinë që ai ka nga faullet.

Është shumë i ndrojtur, kështu që shpresoj se ky gol mund ta tundë dhe ta bëjë të dalë nga guaska e tij. Të gjithëve na pëlqen, është një djalë i mirë, mbase shumë i mirë! Ai duhet të jetë më i vendosur.

Titulli? Mendoj se, ndryshe nga disa klube të tjera, te Interi njerëzit gjithmonë e shohin gotën gjysmë të zbrazët. Mendoj se këta djem po përmirësohen, na duhet pak më shumë kohë, është një periudhë e çuditshme për të gjithë jashtë fushës dhe jam krenar që jam ‘shefi’ i këtyre djemve që japin gjithçka për Interin”, përfundoi Conte pas ndeshjes. /abcnews.al