Milani mori sot një fitore shumë të vështirë ndaj Bolognas me shifrat 1-2, i ndihmuar nga dy penallti të dhëna nga gjyqtari. Pas ndeshjes për mediet foli trajneri Pioli, i cili ishte i kënaqur me skuadrën e tij, përveç rastit të golit të pësuar.
“Duhet të djersish për çdo pikë të marrë. Pa gabimin naiv në golin e Bolognas ne do të kishim zhvilluar një ndeshje shumë të mirë. U morëm vesh mirë me njëri-tjetrin dhe luajtëm mirë. Jam i lumtur dhe është një fitore, që na jep shumë besim pas një jave të vështirë për ne.
Dy seancat e fundit të stërvitjes ishin më të mirat që kemi pasur pas shumë kohësh. Nuk ishim të kënaqur me ndeshjen ndaj Atalantas dhe ata ishin ekipi i vetëm që na bëri të vuajmë në këtë sezon. Me të tjerët ishim më lart, ose të barabartë.
Leao bëri shumë mirë, por kjo nuk është surprizë. Ka cilësi të mëdha dhe thjesht duhet të vazhdojë kështu. Bën shumë më tepër se duket. Ai e di se kur duhet të mbrojë dhe kur duhet të shtyjë përpara”, përfundoi Pioli. /abcnews.al

