Futbolli për pak mund t’i kishte punuar një rreng të madh. Trajneri i Shqipërisë, Silvinjo, kaloi një mbrëmje të vështirë në Stadiumin Kombëtar të Andorrës, dhe vetëm arritja e plej ofit ia hoqi stresin dhe e lumturoi. Tekniku brazilian realizoi sërish diçka të madhe me kuqezinjtë, dy vjet pas kualifikimit në Europian, ndonëse në Botëror nuk jemi ende. Pas ndeshjes së fituar 1-0, ai pranoi sesa e vështirë ishte.
“Unë sot jam i lumtur për 9 milionë shqiptarë, 3 milionë në shtëpi dhe shumë të tjerë jashtë vendit. Ata e meritojnë këtë plej of. Është hera e parë, dhe jam i kënaqur. E vërtetë që ne vuajtëm nga ana psikologjike. Bëmë gabime dhe humbëm shumë topa. Nuk po ia dilnim të ndërtonim aksionet. Ekipit I mungoi qetësia dhe unë jam dakord me ju. E vërtetë është edhe që Andorra bëri një ndryshim taktik. Më parë luante me skemën 4-5-1 dhe nisej nga mbrojtja, ndërsa këtë herë ishin me 4-4-2, me dy sulmues që I bënin presion mesfushorëve tanë si Shehu dhe Asllani që organizonin lojën. Lojtarë shumë të mirë. Pas dy ditësh stërvitje ne gjetëm përballë një ekip të ndryshuar. Ata bënë presion edhe nga krahët dhe kjo na kushtoi, por është e vërtetë ajo që thoni ju, ekipi shpesh u nxitua, ishte jashtë tonit dhe gabuam. Ekipi po rritet, ka lojtarë me përvojë, por ju keni të drejtë”.
A mendon Silvinjo për rivalin e mundshëm në plej of?
“Jo. Në këtë moment nuk mendoj për plej ofin. Ne nuk e dimë ende se kush është përfundimisht I kualifikuar. Ne kaluam 2-3 ditë pune shumë të vështirë. Ekipi humbi ekuilibrin dhe ishim të nxituar. Një ndeshje shumë e vështirë, sepse Andorra ta vështirëson ndeshjen. Mbrohet shumë mirë dhe pëson pak gola. Tani ne duhet të punojmë për plej ofin. Duhet të njohim, të analizojmë ekipet që do të jenë atje. Për momentin, I lejoj vetes që të festoj dhe të shijoj këtë natë. Ekipi ynë humbi ndeshjen e parë ndaj Anglisë në Londër, dhe që nga ajo ditë nuk ka humbur më. Ne u kualifikuam për në plej of një ndeshje para fundit. Lojtarët u paraqitën shumë mirë dhe e përsëris që jam krenar për të gjithë shqiptarët nëpër botë, për ata që e duan futbollin dhe krenohen me kombëtaren. Ata e meritonin një plej of”.
Të dielën do të kemi përballë Anglinë, ndoshta një lloj testi për plej ofin.
“Anglia nuk ka të bëjë fare me plej ofin. Anglia është një nga favoritet për të fituar Kupën e Botës. Një nga kombëtaret më të mira të botës, bashkë me Spanjën, po ashtu gjithmonë Brazili apo Argjentina, Gjermania. Anglia është një superfuqi. Me nivel tepër të lartë, me lojtarë të mëdhenj dhe një trajner që më pëlqen shumë. Ka bërë gjëra të rëndësishme. E studion kundërshtarin, I vendos mirë lojtarët në fushë. Futbolli ka ndryshuar, ka shumë befasi, shumë zgjedhje taktike për lojtarët. Anglia nuk është një pikë referimi për ne përsa I përket plej ofit. Anglia është favorite për Botërorin”./abcnews.al

