Fitore pa “shkëlqim”, “Të Kaltërit” e Italisë mundin në miqësore 2-1 Venezuelën

schedule16:56 - 22 Mars, 2024

schedule 16:56 - 22 Mars, 2024

Me statusin e kampiones në fuqi të Evropës dhe emrin e saj të madh, mbetet gjithmonë favorite. Por fakt është që Italia nuk ka më shkëlqimin e dikurshëm. Një tjetër konfirmim për këtë erdhi nga ndeshja e parë për të kaltërit për 2024, ku fituan me shumë vështirësi 2-1 kundër Venezuelës.

Sfida e luajtur në Majemi mund të kishte një tjetër përfundim, nëse amerikano-jugorët do të shënonin në penalltinë e fituar që në minutën e tretë. Por Rondon gaboi përballë Donnarumma, një prej më të mirëve në fushë për Italinë.

Rezultati mbeti i pandryshuar deri në minutën e 40’-të, kur Retegui kaloi të kaltërit në epërsi. Gjithsesi, Venezuela barazoi shifrat përpara pushimit falë golit të Machis. Në fraksionin e dytë, zëvendësimet e shumta të Spaletit nuk ndryshuan pamjen e sfidës. Vetëm në minutën e 80’-të Retegui gjeti sërish rrugën e rrjetës me golin e dytë personal dhe atë të fitores për Italinë.

“Të Kaltërit” nisin vitin me sukses, por gjithsesi nuk bindin, ndërsa Sylvinho dhe “Kuqezinjtë” shpresojnë që kjo të mos ndryshojë deri më 15 qershor, kur do të përballen me ta në ndeshjen debutuese për finalet e Euro 2024. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!