Fitore e pritshme e Shqipërisë U21, Bushi mund Cungun në miqësoren brenda familjes

schedule17:38 - 30 Maj, 2021

schedule 17:38 - 30 Maj, 2021

Kombëtarja shqiptare e 21 vjeçarëve ka zhvilluar ditën e sotme një ndeshje miqësore kundër ekipit Kombëtar U-19, të drejtuar nga Armando Cungu. Ndeshja e zhvilluar në ambientet e kompleksit “Internacional” në Pezë Helmes u mbyll me rezultatin 3-1 në favor të kuqezinjve të drejtuar nga Alban Bushi.

Të dyja skuadrat u paraqitën mjaft mirë, me lojë të bukur dhe raste të krijuara. Mesfushori shqiptar që aktivizohet në radhët e Dinamo Zagrebit në Kroaci, Bernard Karrica gjeti dy herë rrugën e rrjetës ndërsa shënoi edhe Tedi Cara që luan me ekipin e Partizanit në Shqipëri.

Golin e vetëm për kuqezinjtë e Cungut e shënoi Shpuza. Alban Bushi aktivizoi në këtë ndeshje të gjithë futbollistët e grumbulluar, ku pati mundësinë të shikonte dhe të vlerësonte gjendjen e tyre.

Kjo ndeshje ndaj kuqezinjve të drejtuar nga Armando Cungu i shërbeu Bushit si një test përpara dy ndeshjeve që Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë në transfertë gjatë muajit qershor, fillimisht ndaj Andorrës më 4 qershor, sfidë e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2023 dhe më 8 qershor do të luajë një ndeshje miqësore ndaj Bullgarisë. /fshf.org

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!