Nuk ishte një ndeshje e zakonshme. Pavarësisht se luhej në nivele të larta të futbollit europian, patriotizmi dhe ndjenja kombëtare prevaloi mbi aspektin sportiv në sfidën mes Dritës dhe Shkëndijës në Conference League.
Tifozët e dyja skuadrave shqiptare ndezën Prishtinën disa orë përpara ndeshjes.
E njëjta atmosferë vijoi edhe në tribunat e stadiumit “Fadil Vokrri”, ku të dyja tifozëritë e organizuara shpalosën koreografi të lidhura me ndjenjën kombëtare, ndërsa në unison kënduan për Adem Jasharin.
E njëjta pamje u shfaq edhe në fushë, në një sfidë e gjitha fair play. Por më të mirën morën vendasit. Drita e Gjilanit fitoi 1-0 falë golit të shënuar nga Arb Manaj në minutën e 20-të.
Nuk sollën asgjë rastet e të dyja ekipeve deri në fund, ndërsa me këtë sukses Drita hedh një hap të sigurtë drejt fazës tjetër të Konference League. Skuadra nga Gjilani ka tetë pikë pas katër sfidave dhe për momentin renditet në zonën e kualifikimit direkt.
Nga ana tjetër, Shkëndija zbret në vendin e 25-të të zonës së eliminimit./abcnews.al

