Fitojnë Muçi e Rashica, “ylli” i Kosovës gjen rrjetën, “legjionari” ndër më të dalluarit në fushë

schedule21:56 - 4 Maj, 2024

schedule 21:56 - 4 Maj, 2024

Janë ndër të vetmet gjëra pozitive në këtë vit të mallkuar. “Shqiponjat e Zeza”, të Besiktas nuk po i kënaqin aspak tifozët e saj, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për dy yjet shqiptar, Ernest Muçi e Milot Rashica, teksa lojtari ofensiv i Kombëtares shqiptare dhe sulmuesi i Kosovës ishin ndër më të dalluarit në fushë në një fitore tepër të vështirë në Superligën e Turqisë.

Rashica ishte padyshim i shkëlqyer në fushë, autor goli dhe frymëzues i shumë prej aksioneve sulmuese të ekipit nga Stambolli. Skuadra e Rizespor e pati tepër të vështirë ta përballonte, ashtu si edhe të menaxhonte Muçin që ishte tepër aktiv. Notat për ta ishin të larta, me Rashicën që mori 7.9, i lënë prapa vetëm nga mbrojtësi i miqve, Topçu dhe mesfushori i vendasve, Ghezal.

Muçi po ashtu mori notë të lartë, 7.2, i treti më i mirë për Besiktas, dhe ndjeshëm mbi mesataren e vlerësimit të ekipit. “Ylli” i Kombëtares ka 3 gola deri tani në elitën turke të futbollit duke luajtur vetëm gjysmë sezoni, duke qenë 100 për qind titullar, ndërsa Rashica ka 5 rrjeta e 5 asistë. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!