Interi fitoi 4-0 përballë Beneventos mbrëmjen e kaluar dhe vijon të ndjekë Milanin kryesues. Diferenca me kuqezinjtë është vetëm dy pikë dhe gara për titullin kampion në Itali është më e hapur se kurrë.
Lautaro Martinez realizoi një nga golat e zikaltërve dhe sulmuesi argjentinas numëron 10 të tillë në Serie A këtë sezon. Sulmuesi argjentinas foli pas takimit ndaj skuadrës së Pippo Inzaghit për DAZN, ku ndër të tjera tha:
“Pjesa e parë ishte shumë e vështirë, por gjetëm golin falë një gabimi të Beneventos. Më pas e menaxhuam mirë ndeshjen dhe në pjesën e dytë realizuam golat që nuk i shënuam dot në të parën.
Jemi shumë të kënaqur me fitoren e arritur. Ulërima pas golit që shënova? Ka raste kur humbas disa gola të thjeshtë, ndërsa ndaj Beneventos realizova në momentin që nuk e prisja. Rëndësi ka të fitojë Interi.
Jemi një grup i bashkuar dhe punojmë çdo ditë për të dhënë më të mirën tonë në fushë. Unë jam një sulmues dhe duhet të shënoj gola, por punoj edhe për skuadrën. Ka raste kur gaboj, kështu që duhet të përmirësohem akoma edhe më shumë.
Lukaku? Romelu është shumë i rëndësishëm për ne. E dëshmoi edhe ndaj Beneventos. Edhe pse jo në formë të shkëlqyer, ia doli të shënonte dy gola. Të dy gëzohemi kur Interi fiton, nëse shënojmë edhe më bukur.
Rinovimi deri në 2024? Atë po tentojmë, unë jam i lumtur këtu dhe klubi është sjellë gjithmonë shumë mirë me mua. Trajneri beson tek unë dhe tentoj të jap gjithmonë më të mirën për këtë fanellë“, përfundoi Lautaro Martinez. /abcnews.al