Fitoi betejën me kancerin ne fëmijëri, 29 vjeçarja është astronautja më e re femër

schedule14:40 - 23 Shkurt, 2021

schedule 14:40 - 23 Shkurt, 2021

Hayley Arceneaux, 29 vjeç, jo vetëm do të bëhet brenda këtij viti një nga “turistët e parë hapësinorë” që do të fluturojë me një mision totalisht civil, por do të jetë dhe astronautja më e re amerikane dhe personi i parë që i ka mbijetuar kancerit dhe shkon në hapësirë.

Për shkak të kancerit të kockave që fëmijë, Hayley ka proteza hekuri në këmbën e majtë, një fakt që deri pak kohë më parë do të ishte i mjaftueshëm për të prishur çdo ëndërr për të fluturuar në hapësirë.

Kjo deri në momentin që Jared Isaacman, një i ri miliarder amerikan i pasionuar pas eksplorimit hapësinor, vendosi të marrë me qera një raketë Falcon 9 nga SpaceX dhe të presë tre persona të tjerë në bord.

 

Personi i parë i zgjedhur për këtë mision të paprecedentë, të quajtur Inspiration4 dhe që parashikohet të organizohet në fund të 2021, është pikërisht Hayley.

Ajo u mjekua që fëmijë në spitalin pediatrik St. Jude në Memphis, Tennessee, një spital i specializuar për sëmundjet e fëmijëve për të cilin Jared Isaacman shpreson të mbledhë rreth 200 milion dollarë pikërisht falë misionit hapësinor.

“Mora një telefonatë të papritur në fillim të muajit janar dhe më shpjeguan idenë e misionit, dhe më pyetën nëse kisha dëshirë të shkoja në hapësirë.

 

Thashë menjëherë po, absolutisht po.” Ajo aktualisht punon për këtë spital si infermiere. Kur ishte fëmijë, Hayley kishte vizituar qendrën e NASA-s në Houston, Texas, dhe si shumë fëmijë të asaj moshe ëndërronte të bëhej astronaute.

“Dëshiroja të isha një astronaute. Por pak muaj më vonë u diagnostifikova me kancer, dhe një gjë e tillë më ndryshoi të gjithë jetën. Deri tani, astronautët duhej të ishin të përsosur nga pikëpamja fizike.

Dhe unë nuk i përkas kësaj kategorie për shkak të operacioneve që më janë dashur të bëj në këmbë. Dhe një nga gjërat për të cilat jam kaq entuziaste për këtë mision është se hap udhëtimet në hapësirë për të gjithë”, thekson Hayley.

“Të jesh gruaja më e re amerikane në hapësirë është një nder i madh, por sinqerisht ajo që më pëlqen më shumë është se jam e mbijetuara e parë e kancerit pediatrik që shkoj në hapësirë.

Dhe kjo do të thotë shumë për fëmijët që janë ende në mjekim. Dëshiroj të inkurajoj pacientët e mi që të kenë ëndrra të mëdha dhe të mos i vendosin kufij vetes. Shpresoj t’u tregoj atyre se çdo gjë është e mundur,” përfundon Hayley.

Muajin e ardhshëm do të zgjidhen dhe dy anëtarët e tjerë të misionit: do të jetë një donator i spitalit St Jude, që do të zgjidhet rastësisht, dhe një person që dëshiron të reklamojë një kompani për “të ndryshuar botën”, i zgjedhur nga një juri.

Më pas do të nisë trajnimi për udhëtimin. Misioni i parashikuar për në fund të vitit, duhet të zgjasë disa ditë.

“Turistët e Hapësirës” do të fluturojnë në një orbitë tokësore të ulët duke bërë një xhiro të plotë mbi Tokë çdo 90 minuta.

Në fund të misionit, kapsula Dragon, i njëjti model me atë të muajit nëntor të një viti më parë, kur katër austronautë u lëshuan me sukses në orbitë në udhëtimin e tyre drejt Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar, do të hyjë në atmosferë për të bërë uljen përgjatë bregut të Floridas. s.ba/abcnews.al