Bizneset e huaja transferuan një shumë rekord fitimesh jashtë vendit në gjysmën e parë të këtij viti.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, flukset dalëse në të ardhurat nga investimet kishin vlerën e 294 milionë eurove, në rritje me 14.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vetëm gjatë tremujorit të dytë, vlera e fitimeve të transferuara jashtë arriti në 153 milionë euro, me rritje vjetore me 16%.
Vlera e fitimeve të transferuara jashtë vendit këtë vit është më e larta në të paktën 14 vitet e fundit. Viti 2021 po shënon një kthim në tendencën e rritjes së transferimit të fitimeve jashtë vendit. Vitin e kaluar, fitimet e transferuara jashtë shënuan një rënie me 5.1%, por kjo ishte sërish vlera e dytë më e lartë në 12 vitet e fundit.
Në kahun e kundërt, flukset hyrëse të të ardhurave nga investimet për gjysmën e parë të këtij viti ranë në 42 milionë euro, 26% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Bilanci neto i të ardhurave nga investimet ishte negativ në vlerën e 252 milionë eurove. Deficiti në këtë zë u rrit me 22% krahasuar me një vit më parë.
Të dhënat tregojnë se deri tani pandemia nuk e ka frenuar shumë shpërndarjen e dividendëve nga kompanitë e huaja që veprojnë në Shqipëri. Vlera relativisht e lartë e fitimeve të transferuara tregon se efekti i krizës në këtë drejtim nuk ka qenë shumë i madh, ndoshta edhe për shkak të optimizmit se rimëkëmbja nga pandemia do të jetë e shpejtë. Nga ana tjetër, rritja e investimeve të huaja direkte, sidomos pas vitit 2014, përbën në vetvete një premisë që dalja e fitimeve jashtë vendit të rritet, me qëllim marrjen mbrapsht të investimeve të kryera.
Vlen të thuhet se, në fillim të këtij viti, autoritetet rregullatore të tregjeve financiare hoqën pengesat për shpërndarjen e fitimeve nga vitet e mëparshme për bankat dhe kompanitë e sigurimeve. Ndalimi i shpërndarjes së dividendëve u kufizua vetëm për fitimin e realizuar në vitin 2020, si edhe fitimet që do të realizohen gjatë këtij viti.
Një faktor tjetër që e ndikon thellimin e bilancit negativ në zërin e të ardhurave nga investimet për ekonominë shqiptare janë edhe fitimet nga investimet e portofolit.
Megjithatë, fitimet e transferuara jashtë vendit nuk përfshijnë vetëm të ardhurat nga biznesi, por edhe ato nga investimet e portofolit, ndaj një ndikim ka pasur është edhe rritja e borxhit të jashtëm në vitet e fundit, sidomos nga qeveria shqiptare. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, për tremujorin I qeveria shqiptare shpenzoi 6.5 miliardë lekë ose rreth 53 milionë euro për interesat e borxhit të jashtëm. Kjo shumë është afërsisht sa 18% e flukseve dalëse në zërin e të ardhurave nga investimet./Monitor