Fiskalizimi, tregtarët: Nuk kemi njohuri për të përdorur teknologjinë

schedule15:24 - 31 Tetor, 2021

schedule 15:24 - 31 Tetor, 2021

Nga Erblina Mile

Tregtarët e vegjël në Tiranë kanë protestuar duke ulur në mënyrë simbolike qepenat. Ata ankohen se po përballen me vështirësi dhe kërkojnë shtyrjen e procesit të  fiskalizimit pasi bizneset e tyre drejtohen nga familjarë  të cilët nuk kanë njohuri për të përdorur programin. Ata theksojnë se kosto varion nga 500 në 1000 euro.

Për tregtarët problem është ulja e shitjeve. Jo të gjithë  i janë bashkuar protestës pasi nuk kanë shpresë se kjo do të ndryshojë diçka.Por ka edhe nga ta që i frikësohen ndëshkimeve.

“Jo se mbylla, peshku i madh e ha të voglin,” thotë një prej tyre.

Thonë se po punojnë për të mbijetuar ndërsa duhet që të paguajnë në kohë detyrimet tatimore.Madje ka nga ata që kanë mbyllur aktivitetin pasi nuk kanë mundur të paguajnë  taksat.

Procesi i fiskalizimit  ka filluar të zbatohet në 1 Janar të këtij viti, me transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve dhe Enteve Publike.

Faza e dytë nisi zbatimin në 1 Korrik duke përfshirë transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve, ndërsa më 1 Shtator nisi faza e fundit për transaksionet tatimpagues-konsumator,  dhe përfshin edhe biznesin e vogël dhe të mesëm. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!