Fiskalizimi/ Kontabilisti: Procesi është i parealizueshëm, të shtyhet edhe 6 muaj

schedule07:33 - 27 Tetor, 2021

schedule 07:33 - 27 Tetor, 2021

Për shkak të numrit të ulët të bizneseve të vogla të fiskalizuara, por nisur edhe nga problematikat ende të pazgjidhura të procesit dhe ngadalësisë me të cilën punon portali SelfCare, kontabilistët përsërisin si zgjidhje shtyrjen e fiskalizimit.

Në total, deri tani, janë rreth 41,000 subjekte të fiskalizuara apo 35% e atyre që kanë detyrimin të fiskalizohen. Nga 1 shtatori nisi fiskalizimi për biznesin e vogël. Numri i këtyre që kanë detyrimin të fiskalizohen arrin deri në 90,000. Sipas të dhënave në fillim të muajit tetor nga Tatimet, numri i bizneseve të vogla arrinte deri në 20,000.

Kontabilisti Sotiraq Dhamo thotë se procesi është i parealizueshëm deri në fund të vitit, për këtë arsye duhet të shtyhet të paktën 6 muaj. Dhamo rekomandon që shtyrja të jetë e kushtëzuar.

“Procesi i fiskalizimit aktualisht është pezull. Numri i bizneseve të fiskalizuara është shumë i ulët mbi totalin. Problematika më e madhe po krijohet nga biznesi i vogël që nuk po kërkon të fiskalizohet. Në anën tjetër vazhdon të mos jetë e zgjidhur problematika me shfaqjen e fletëve të import-eksportit në dogana, libri i shitblerjes nuk është i formatuar sipas ligjit të TVSH-së në portal dhe ngadalësia e sistemit.

Në këtë situatë mendoj se zgjidhja e duhur do të ishte shtyrja edhe me 6 muaj e procesit pas 1 janarit 2022. Shtyrja duhet të jetë e kushtëzuar dhe jo siç po ndodh në këtë periudhë që nuk po vendosen penalitete për ata që nuk fiskalizohen. Nëse procesi do të shtyhet sërish duhet të jetë i kushtëzuar. P.sh. bizneset që nuk aplikojnë për pajisje me certifikatë elektronike të penalizohen, ndërsa për problemet e krijuara nga sistemi të mos vendosen gjoba”.

Dhamo thotë se duke qenë se numri më i lartë i bizneseve që nuk fizkalizohen janë të vegjlit, shteti duhet të rimbursonte kostot e fiskalizimit për ta në mënyrë që të stimulohen. “Fiskalizimi ka kosto për biznesin e vogël. Në këtë rast, nëse shteti do të paguante koston nuk do të kishte arsye që ata të qëndronin në informalitet, pasi kjo situatë po penalizon biznesin e rregullt. Faturat e lëshuara nga bizneset jo të fiskalizuar nuk njihen”.

Sipas kontabilistit Dhamo, arsye tjetër pse fiskalizimi duhet të shtyhet janë problematikat e pazgjidhura me formatimin e faturave të shitje-blerjes për bizneset me TVSH, të fletëve doganore për bizneset e import-eksportit dhe ngadalësia me të cilin punon portali SelfCare.

“Në dogana janë dy problematika ende të pazgjidhura. Së pari, që të fiskalizohen fletët doganore të importit dhe eksportit duhet të dalin automatikisht nga dogana. Pjesa më e madhe e tyre nuk del.

Së dyti, është mënyra e fiskalizimit për fletën doganore që është e pamundur, pasi përmban grup artikuj. Fleta doganore përmban dy rreshta, pasi klasifikohen sipas kodeve. Është e pamundur që të fiskalizohet, pasi do të jetë çmimi për çdo artikull. Në fletën doganore, përveç çmimit, përfshihen edhe shpenzimet e transportit nga jashtë ose çmimi i referencës që nuk përputhet. Ky ende është një problem i pazgjidhur.

Një tjetër problem është mosformatimi i librit të biznesit me TVSH. Nga 1 janari 2022 bizneset nuk kanë mundësi të shkarkojnë librat e shitjes në e-filing. Nga ana tjetër portali duhet të formatojë librin e blerjeve dhe shitjeve siç e kërkon ligji për TVSH-në, ashtu siç del libri është i komplikuar dhe jo në përputhje me ligjin e TVSH-së. Pra libri i blerjes duhet të formatohet në excel, siç e udhëzon edhe ligji. Nëse kërkon në platformë libri i blerjes dhe shitjes nuk është sipas standardit aktual që plotësojnë bizneset. Pra është e domosdoshme të bëhet sipas kërkesës së ligjit të TVSH-së dhe në formatin aktual me të cilin bizneset janë ambientuar.

Problem është edhe fiskalizimi i disa faturave më shumë sesa 1 herë. Sistemi është shumë i ngadaltë. Administrata tatimore shumicës së shqetësimeve të ngritura nuk iu është përgjigjur”, nënvizon kontabilisti Sotiraq Dhamo.

Sipas të dhënave të përditësuara të Drejtorisë të Përgjithshme të Tatimeve deri tani janë 41,546 tatimpagues në total të fiskalizuar. Tatimpagues që kanë lëshuar fatura me para në dorë janë 33,535 dhe subjekte që kanë lëshuar fatura pa para në dorë janë 22,615. /Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!