Sion nuk ka duruar dhe u ka dërguar një dokument nëntë futbollistëve për të pranuar një marrëveshje, sipas së cilës ata do të duhet të vazhdonin me pagë maksimale 12350 franga zvicerane, shifër kjo e vlefshme me atë që jepet nga sigurimet shoqërore kur je i papunë.
Lojtarët, mes tyre edhe Ermir Lenjani dhe Pajtim Kasami, kishin kohë deri ditën e djeshme në mesditë për t’i kthyer një përgjigje klubit. Normalisht futbollistët nuk e kanë pritur mirë diçka të tillë dhe nuk kanë qenë dakord, sidomos prej mënyrës se si ndodhi gjithçka.
Nga ana tjetër klubi, sipas Blick, nuk u është përgjigjur lojtarëve për të dhënë sqarime të mëtejshme. Teza e Sion është që “Jemi të privuar nga të gjitha të ardhurat tona. Na është ndaluar t’u ofrojmë punën e tyre dhe jemi të ndaluar që ata ta bëjnë punën”.
Shoqata Zvicerane e Futbollistë është ankuar menjëherë pas vendimit të marrë nga klubi i Sion, teksa kërkohet që këto largime abuzive të anulohen menjëherë dhe të hapet një diskutim rreth zgjidhjeve që mund të ketë për të dalë nga kjo situatë e vështirë që është krijuar për shkak të pandemisë. /abcnews.al