Valon Behrami është rikthyer sërish në Serie A, aty ku ka luajtur më parë me Lazion, Veronën, Fiorentinën, Napolin dhe Udinesen. 34-vjeçari nga Mitrovica qëndron pushim prej fillimit të tetorit, periudhë kur i dha fund aventurës me zviceranët e Sion.
Mesfushori u kërkua nga Genoa në merkaton e janarit, pranoi ofertën, firmosi deri në fund të sezonit dhe është gati të ndihmojë ekipin më të vjetër italian për të mos rënë një kategori më poshtë (Genoa renditet në vend të parafundit).
“Jam i sigurt që kam bërë zgjedhjen e duhur. Doja të vija te Genoa dhe jam shumë i lumtur që jam këtu. Ndihem i rinuar dhe i gëzuar që do të luaj sërish në Serie A. Fakti që në stol është Davide Nicola ndikoi në zgjedhjen time.
Trajneri më njeh mirë dhe e di se çfarë mund t’i jap skuadrës. Tifozët janë të zjarrtë dhe do duhet të punojmë në mënyrë konstante për të arritur objektivin e qëndrimit në kategori“, thekson për RSI Valon Behrami, lojtari më i ri i Genoas. /abcnews.al