TIRANË- Të gjithë ata nxënës që duan një zanat dhe që janë në vit të parë në gjimnaz, u jepet mundësia që të zgjedhin arsimin profesional.
Kjo u njoftua nga kryeministri Edi Rama, i cili thotë se kjo është bërë e mundur falë dokumentit të përbashkët që u nënshkrua sot nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit dhe Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
“Nxënësve që duan të marrin një zanat u jepet një mundësi e re që të zgjedhin Arsimin Profesional në çdo kohë, përgjatë gjithë vitit të parë të gjimnazit, falë dokumentit të përbashkët që u nënshkrua sot nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit dhe Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit”, shkruan Rama.
Sipas kryeministrit, me rritjen e tregut të punës kërkohen gjithnjë e më shumë njerëz të kualifikuar dhe prandaj shumë të rinj po zgjedhin të marrin një zanat, i cili i përgjigjet nevojave të kohës dhe tregut të punës.
“Me kërkesat në rritje të tregut të punës për profesionistë të kualifikuar, gjithnjë e më shumë të rinjtë po orientohen drejt zanateve dhe po zgjedhin arsimin profesional, si rrugën e duhur për punësim të sigurt”, shkruan kryeministri./ abcnews.al