Trajneri i Juventusit, Andre Pirlo, u shfaq pak momente më parë në konferencën e zakonshme për shtyp para duelit me Fiorentinën. Bardhezinjtë këtë fundjavë luajnë në transfertën e Firences, një duel shumë i rëndësishëm për ta në garën për një vend në Champions League. Tekniku italian vlerëson kundërshtarin, por kërkon përqëndrim nga ekipi për të marrë tre pikët. Në fund ai u ndal sërish tek Super League si dhe tek ndonjë përjashtim i mundëshm i Juventusit si masë disiplinore nga UEFA.
FIORENTINA – “Ne jemi kundër një ekipi që po lufton për të shmangur rënien. Ne pësuam humbjen tonë të parë kundër Fiores në dhjetor, duke luajtur pothuajse gjithë ndeshjen me 10 lojtarë. Pres një ndeshje të shkëlqyeshme dhe shpresoj të marrim një rezultat të shkëlqyeshëm”.
MUNGESAT DHE SITUATA NË EKIP – “Është e sigurtë se Chiesa nuk do të luajë për shkak të një dëmtimi, por fatmirësisht nga minuta e parë do të jetë në fushë Giorgio Chiellini. Aaron Ramsey nuk ka luajtur shumë, por kjo do të jetë një mundësi shumë e mirë për të. Rabio gjithashtu është përmirësuar shumë dhe do ta startojë sfidën si titullar”.
RONALDO DHE DYBALA – “Paulo është duke bërë mirë dhe po merr minutat që po i meriton. Kohët e fundit po ndihet gjithmonë edhe më i qetë. Ky është sezoni im i parë që punoj me Cristianon dhe kam një raport të shkëlqyeshëm me të. Ai kërkon të japë maksimumin dhe është një shembull për djemtë e rinj”.
SUPER LEAGUE DHE OBJEKTIVAT SEZONALË – “Natyrisht që para ndeshjes me Parmën u fol shumë për të dhe mund të ketë ndikuar pak mendërisht tek lojtarët. Objektivi ynë mbetet që të kualifikohemi për në Champions League, sa nuk kemi mundësi të lejojmë që asgjë tjetër të na pengojë. Jam i bindur që këtë ndeshje do ta përballojmë me përqëndrimin e duhur. Skualifimi nga Champions si ndëshkim nga UEFA? Jo, nuk kemi frikë nga kjo. Kjo është puna jona dhe jemi të bindur që mund ta mbyllim sezonin duke i plotësuar të gjithë synimet tona”, përfundon Pirlo. /abcnews.al