Financat: Tarifat e diferencuara nuk shihen më të domosdoshme, deformojnë tregun

schedule22:12 - 8 Prill, 2023

schedule 22:12 - 8 Prill, 2023

Pas alarmit të prodhuesve të birrës për falimentim, Ministria e Financave dhe Ekonomisë më herët tha për “Monitor” se, rreth 35-40% e birrës që konsumohet sot në Shqipëri (rreth 35-40 mln litra) janë birra që paguajnë nivelin standard të tarifës së akcizës prej 710 lekë/Hl gradë alkoolike.

MFE thotë se këto kompani, pavarësisht se paguajnë transport, detyrime tatimore, garanci marke etj., janë konkurruese në treg.

Ndërkohë që para unifikimit të akcizës, një pjesë jo e vogël e importeve të birrës, rreth 30% e importeve, deklarohej nga prodhues nën 200 mln litra, duke paguar tarifën e reduktuar. Tashmë edhe këta importues do t’i nënshtrohen tarifës standard të unifikuar.

Nga Ministria e Financave argumentohej se heqja e tarifave të diferencuara jo vetëm janë kërkesë e FMN-së dhe institucioneve të BE-së, por nga ana tjetër, gjykon se zbatimi mbi një dekadë i tyre ka forcuar kompanitë shqiptare të birrës për t’u përballur me konkurrencën globale.

“Paketa Fiskale 2023 është hartuar në kuadrin e kërkesave për të përmirësuar administrimin doganor dhe tatimor, reduktimin e informalitetit dhe zgjerimin e bazës së taksimit.

Ajo ka synuar gjithashtu implementimin e politikave që lidhen me reduktimin e përjashtimeve, tarifave të diferencuara dhe incentivave të tjera, të cilat duke qenë se janë zbatuar për periudha të gjata kohore, ose kanë plotësuar qëllimin për të cilat janë dhënë, ose nuk shihen më të domosdoshme, pasi mund të çojnë në deformime të tregut.

Edhe lehtësitë e aplikuara në fushën e diferencimit të akcizës së birrës, të aplikuara në Shqipëri për mbi 10 vjet, duke favorizuar me 50% të tarifës prodhuesit me më pak se 200 mijë hl prodhim në vit, ku janë kategorizuar prodhuesit vendas, gjykohet se për vetë kohën e gjatë të zbatimit, kanë bërë të mundur forcimin e prodhuesve me qëllim përballimin e konkurrencës globale.

Shtojmë gjithashtu se janë kërkesa të BE-së dhe institucioneve të tjera që mbështesin dhe asistojnë vendin tonë si FMN, BB etj., që të hiqet dorë nga tarifat e diferencuara dhe incentivat e tjera, pasi ato mund të krijojnë deformime në treg.

Në rekomandimet për reformimin e sistemit tatimor shqiptar, FMN ka sugjeruar se të gjitha përjashtimet jo standarde, normat e ulëta dhe trajtimet preferenciale duhet të eliminohen nga TVSH-ja, akcizat dhe taksat kombëtare, pasi ato e komplikojnë në mënyrë të panevojshme sistemin, minojnë integritetin e tij dhe e bëjnë shumë të vështirë administrimin në mënyrë efikase të taksave”, citohet në sqarim.

Referuar direktivave të BE-së, Ministria e Financave sqaron më tej se ato rekomandojnë diferencim, jo detyrues dhe vetëm për prodhues artizanalë.

“Direktivat e BE për birrën janë direktivat 92/84/EEC dhe 92/83/EEC të datës 18 tetor 1992. Siç shikohet të dyja këto direktiva i përkasin më shumë se 30 vite më parë, ndaj edhe Komuniteti është duke kryer një studim lidhur me modifikimin e këtyre direktivave për t’i përshtatur me realitetin e ri.

Në frymën e ndërtimit të tyre këto direktiva janë bërë për të mbështetur artizanatin në sektorin e prodhimi të birrës, i cili i vendosur në lokacione të ndryshme prodhon produkte artizanale alkooli me ingredientë specifikë të zonës. Këto produkte nuk shiten në nivel kombëtar dhe është favorizuar vetëm për të nxitur artizanatin dhe për të mos humbur traditën.

Direktiva e vitit 1992 iu ka lejuar vendeve anëtare vendosjen e diferencimit të birrës përkundrejt sasisë vjetore të prodhimit (por pa qenë detyruese si masë), duke pasur në konsideratë karakteristikat e zonës dhe prodhimit të çdo vendi dhe ka në fokus pikërisht birrat e prodhimit artizanal, të prodhuara në kushte klasike dhe me metodat e impiante tradicionale.

Pasja e një politike diferencuese taksimi në Shqipëri, në kushtet kur birra artizanale nuk është faktor dhe dominuese (birrat në Shqipëri prodhohen kryesisht në impiante të mirëfillta industriale, apo fabrika të prodhimit të birrës), nxit prodhuesit të frenojnë prodhimin e tyre për të mos kaluar sasinë e prodhimit mbi të cilën ndryshon edhe shkalla e taksimit.

Për këtë arsye, masat lehtësuese të një vendi ndaj një industrie prodhuese nuk mund të jenë të përjetshme, për sa kohë që diferencimi ka vazhduar për vite me radhë”, pohon MFE./Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!