Finalja ndaj Egnatia, Orges Shehi: Episodet do të bëjnë diferencën

schedule14:00 - 25 Maj, 2024

schedule 14:00 - 25 Maj, 2024

Partizani luan në “Air Albania”, ndaj Egnatia (e diel, 19:00), finalen e sezonit, me synimin e vetëm festimin e titullit të 18-të në histori. Orges Shehi, trajner i “Demave”, në konferencën për shtypin në prag të finales së “Final Four”, kërkoi përqendrim maksimal.

“Është ndeshje e fundit dhe më e rëndësishmja, pasi vendos skuadrën kampione. Është një finale që vë përballë dy ekipet më të forta dhe triumfuese do të dalë ekipi që gabon më pak. Protagonistët në fushë janë lojtarët, ndërsa trajnerët i udhëheqin ato. Aktorët më të rëndësishëm janë futbollistët dhe mënyra se si do ta interpretojnë lojën.

Janë të pakta finalet që skuadrat dominojnë të gjithë takimin. Episodet mendoj se do të bëjnë diferencën.”

Vlerësimi për Egnatian: “Skuadër serioze. Ne do të japim më të mirën për të fituar. Kemi një president që nuk lodhet kurrë, kemi tifozët më të mirë dhe lojtarët më të shkëlqyeshëm. Kjo finale do të jetë spektakolare. Fjala finale është e madhe dhe mendoj se duhet ta fitojmë me tru dhe këmbë. shpresoj që të kemi një mbështetje të madhe të tifozeve.”

Partizani, në formë: “6 fitore radhazi? Kemi bërë mirë në ndeshjet e fundit. Përveç fitoreve, kemi shprehur një lojë të mirë dhe kemi treguar agresivitet, grintë, kompaktësi që janë të domosdoshëm. Është një moment i mirë dhe shpresoj që çdo gjë të shkojë siç duhet nesër. Na duhet edhe pak kujdes.”/ h.ll/abcnews.al