Finalja e Euro 2020 është përcaktuar të zhvillohet në “Wembley” të Londrës më 11 korrik, por në Angli duhet të kryesh një karantinë 10-ditore nëse vjen nga jashtë.
Një gjë e tillë është kthyer në shqetësim për UEFA-n, teksa është gati plani B për spostimin e finales së madhe në “Puskas Arena” të Budapestit, i vetmi që pranon mbushjen me kapacitet maksimal.
Kryeministri italian, Mario Draghi, në takimin që po zhvillon në Berlin me homologen Angela Merkel, ka dalë kundër luajtjes së finales në token angleze, madje thekson se do të bëjë maksimumin që finalja e Euro 2020 të mos zhvillohet në stadiumin mitik.
“Kam ndërmend të shfrytëzoj gjithçka nga vetja që të pengoj zhvillimin e finales në një vend ku po shtohen me shpejtësi rastet e personave të infektuar me koronavirus“, deklaroi Draghi, i cili ëndërron që dueli për trofeun e madh të luhet në “Olimpico”.
Aspak e lehtë të ndodhë, por kurrë mos thuaj kurrë! UEFA po negocion me autoritetet angleze që në “Wembley” të jenë të pranishëm 60 mijë tifozë më 11 korrik. Nëse nuk ndodh, Draghi është gati të përfitojë. /abcnews.al