Pas humbjes së trofeut të Conference League vitin e shkuar në përballjen me West Ham, Fiorentina rikthehet në finalen e këtij kompeticioni me qëllimin që këtë sezon të triumfojë.
Ndërsa jemi në prag të finale së Athinës, me skuadrën italiane që do të përballet me grekët e Olympiacos në “OPAP Arena” trajneri Vicenzo Italiano deklaroi për mediet se është bukur kur kthen kokën pas dhe sheh që edhe gjatë këtij sezoni kanë bërë një rrugëtim shumë të mirë.
“Sa bukur është të shikosh prapa në rrugëtimin që kemi ndërmarrë dhe tani e gjejmë veten këtu. E bukur sepse edhe këtë vit ne e kemi nderuar këtë kompeticion në mënyrën më të mirë të mundshme dhe kemi arritur në finale pas një rrugëtimi të qartë”-tha fillimisht ai.
Më tej duke folur për përballjen e nesërm me Olympiacos, ai shtoi se duke qenë se është hera e dytë që prekin finalen e Conference League, i dinë rreziqet dhe avantazhet.
“Jemi në një finale tjetër të këtij kompeticioni, në të cilën do të përpiqemi të përfitojmë pak nga njohuritë e vitit të kaluar. Ne i dimë rreziqet dhe avantazhet që mund të kemi”-shtoi tekniku i Fiorentina-s.
Teksa i pyetur për fjalimin e mbajtur nga ai para ekipit, Italiano theksoi se nuk ka sekrete dhe se u kërkoi lojtarëve të ishin perfekt.
“Nuk ka sekrete. Unë thashë që ne kishim aftësinë për t’u rikthyer në finale dhe se duhet ta interpretojmë këtë ndeshje si të ishte e fundit e jetës sonë, sepse askush nuk është i sigurt se mund të luajmë një tjetër. Ne duhet të përpiqeni të jemi perfekt dhe të kemi zjarr brenda”-vijoi trajneri.
Teksa në krahasimin e bërë për ekipin e tij nga finalja vitin e shkuar, te kjo që do të luhet nesër, ai theksoi se të gjithë te Fiorentina janë më të pjekur, por në fushë të dy kundërshtarët janë të barabartë.
“Ne jemi të gjithë më të pjekur, kemi më shumë përvojë, e dimë se çfarë është përgatitja dhe çfarë kërkon një finale. Ky është një avantazh për mua, pastaj në fushë është një ndeshje 50/50 si të gjitha finalet”-përfundoi Vicenzo Italiano./ h.ll/abcnews.al